Fadil Zeneli, kryetar i Ansamblit “Emin Duraku” i ftuar në Happy Day ka rrëfyer për mosmirnjohjen që shpesh e përjetojnë nga institucionet shtetërore dhe Ansambli shtetëror.
“38 vite punë të pandërprerë, fillimisht në ansamblin Ibe Palikuqi si valltar, pastaj edhe si udhëheqës i grupeve të dyta por edhe si krijues. Unë dhe kolegët e mi që ia kemi kushtuar kulturës shqiptare meritojmë më shumë implikim në vendimmarje, që shpesh nuk na jepet”, ka thënë Fadil Zeneli.
I diplomuar në Prishtinë dhe me përkushtim afër 40 vite në kulturën dhe traditën shqiptare, Fadil Zeneli flet për sfidat dhe dedikimin e tij në karrierë.
“Nëse do më kishin pyetur sa vite studime ke bërë, do them 38 vite studiova dhe e mora këtë copë letër, si I them unë, pra diplomën, që është obligative për ta dokumentuar profesionin”, shprehet Zeneli.
Zeneli është shqiptari i pari që është regjistruar në fakultetin e Etno Koreologjisë në qytetin e Shtipit.
“Është hera e parë që thuhet ky lajm, e vërtetë se kam regjistruar këtë fakultet, iu mungon edhe kjo shqiptarëve sepse nuk ka Etno Koreolog të diplomuar”, deklaroi Fadil Zeneli në emisionin Happy Day në Klan Maqedoni./ KlanMacedonia