Një grup prej 28 foshnjash të lindura para kohe janë evakuuar nga spitali kryesor në Gaza, i cili është i rrethuar nga forcat izraelite. Tanimë, foshnjat kanë kaluar në Egjipt. Të porsalindurit ishin pacientë në spitalin “Al-Shifa” në qytetin e Gazës, tani i pushtuar nga forcat izraelite pas luftimeve të ashpra.
Më herët, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza tha se një sulm ajror izraelit në një spital tjetër vrau të paktën 12 persona. Izraeli nuk ka komentuar në lidhje me këto deklarata, por thotë se po sulmon terroristët dhe infrastrukturën terroriste në Rripin e Gazës.
Ndërkohë, një bilanc tragjik viktimash është shënuar që nga nisja e konfliktit në Gaza. Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza thotë se 13,000 njerëz janë vrarë që kur Izraeli filloi sulmet kundër Hamasit. Nga ana tjetër, Izraeli thotë se si pasojë e konfliktit, kanë mbetur të vrarë 1200 izraelitë dhe se janë marrë peng më shumë se 200 persona nga Hamasi./tvklan.al