“ETHET” E KARNAVALIT
Karnavali i famshëm i Strumicës ka mbledhur një turmë prej rreth 1500 pjesëmarrës të maskuar, duke sjellë një shfaqje të jashtëzakonshme të kulturës dhe artit ndërkombëtar. Me 48 maska unikale nga vende të ndryshme si Kroacia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Turqia, Greqia, Bullgaria dhe vendi pritës, Maqedonia, ky event ka arritur të tërheqë vëmendjen e të gjithëve në procesionin e tij të shkëlqyer.
Kryetari I Komunës së Strumicës, në profilin e tij në Facebook ka publikuar pamje nga karnavali duke e pagëzuar “Karnavali i Strumicës, mrekullia e Strumicës”.
Në ceremoninë hapëse, Kostadinov, u nderua me një pllakë dhe medalje nga Federata Evropiane e Qyteteve Karnavale, në shenjë të 30-vjetorit të anëtarësimit të karnavaleve të Strumicës në këtë federatë.
“Është një moment krenarie të udhëheqësh komunën në këtë event të rëndësishëm,” deklaroi Kostadinov, duke shprehur gjithashtu dëshirën që pasardhësit e tij të kenë fatin të marrin të njëjtën nderatë në të ardhmen.
Një juri e përbërë nga ekspertë të fushës ka vlerësuar krijimet më të spikatura të karnavalit, ndërsa publiku ka pasur mundësinë të japë votën e tij nëpërmjet internetit për maskën e preferuar. Maskat fituese në kategori të ndryshme janë shpërblyer me çmime monetare, duke shtuar një element të mëtejshëm konkurrence dhe emocioni në festimet.
Kryetari Kostadinov, i cili mori pjesë në paradën e maskaradës si Napoleon Bonaparti, ka bërë që ky edicion të jetë edhe më i veçantë.
Karnavali i Strumicës ka një traditë shumëvjeçare, kurse është përmendur edhe nga udhëpërshkruesi otoman, Evlija Çelebija në vitin 1670.