Në vend të kërkimfaljes dhe pranimit të gabimit, Ministrja Koçoska dhe VMRO-DPMNE vazhdojnë me sulmet ndaj Slavjanka Petrovskës duke e akuzuar se aktron viktimën, ka deklaruar në press-konferencën para Ministrisë së Financave, deputetja e LSDM-së, Jovana Trençevska.
Sipas saj, jo vetëm që Koçoska dhe VMRO-DPMNE nuk kërkuan falje, por askush nga pushteti dhe partnerët e koalicionit nuk e dënuan, sic thotë, këtë sjellje diskriminuese të Ministres.
JOVANA TRENÇEVSKA – DEPUTETE E LSDM-së
“Jemi dëshmitarë edhe të një heshtjeje të turpshme. Mungoi reagimi i Nënkryetares së Kuvendit, Vesna Bendevska, edhe pse deri dje ishte Kryetare e Komisionit për parandalimin e diskriminimit. Bendevska nuk tha asnjë fjalë, e as që reagoi. Kjo heshtje është shqetësuese sikurse ofendimi. Ne nuk do të ndalemi këtu. Kjo nuk guxon të mbetet vetëm si një ditë dënimi. Për këtë shkak, jemi këtu, qartë dhe zëshëm të kërkojmë – Gordana Koçoska partjetër të dorëhiqet. Dorëheqje do të kërkojmë çdo ditë, derisa nuk largohet nga funksioni. Vetëm në këtë mënyrë mund t`i mbrojmë qytetarët nga diskriminimet e radhës.” /tvklan.mk