Escobar: SHBA mbështet integrimin e Malit të Zi në BE

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të hënën në Podgoricë se Shtetet e Bashkuara mbështesin rrugëtimin e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian, ndërsa tërhoqi vëmendjen për ndikimin keqdashës të Rusisë në rajon.

Escobar tha se mundësitë e bllokuara prej kohësh për zgjerimin e Bashkimit Evropian janë hapur pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë.

“Ne duhet të sigurohemi që Mali i Zi të mbetet kandidati i ardhshëm dhe anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian”, tha zoti Escobar pas takimit me kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiç.

“Argumenti im për Bashkimin Evropian është që nëse e keni parë se si Mali i Zi ka vepruar brenda NATO-s, atëherë mund të prisni që Mali i Zi të jetë anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian”, tha zoti Escobar, duke nënvizuar se çdo vend që i bashkohet BE-së është më i begatë dhe më demokratik.

Zyrtari amerikan paralajmëroi kundër atij që e përshkroi si “ndikimin keqdashës rus në rajon” dhe vlerësoi rolin “e jashtëzakonshëm dhe pozitiv” që luan Mali i Zi brenda NATO-s.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnja, Serbia, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, janë në periudha të ndryshme të procesit të integrimit në BE, pas një periudhe luftërash dhe krizash që goditën rajonin gjatë viteve të 90-ta. Pas fillimit të luftës në Ukrainë, zyrtarët evropianë dhe amerikanë janë vënë në përpjekje për t’i mbajtur këto vende larg ndikimit të Kremlinit.

Me gjithë kundërshtimin e Rusisë, Mali i Zi në vitin 2017 u bë vend anëtar i NATO-s dhe është vënë në përpjekje për të siguruar anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Mali i Zi është thellësisht i ndarë midis forcave pro perëndimore dhe atyre që mbështesin lidhje më të ngushta me Serbinë fqinje dhe Rusinë. Ngërçi kishte bllokuar përparimin në procesin e reformave të nevojshme për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Kryeministri i ri, Milojko Spajiç, i cili mori detyrën vitin e kaluar, është zotuar të ripërtërijë përpjekjet pas një bllokade të gjatë politike.

I pyetur rreth shqetësimeve mbi mundësinë që partitë politike të ish Frontit Demokratik prorus të bëhen pjesë e qeverisë, Escobar thë se kjo nuk ka të bëjë me politikën e brendshme por me politikën e jashtme të vendit ballkanik. Mali i Zi tha ai, duhet të mbetet partner i qëndrueshëm i komunitetit euro-atlantik.

“Tre palë ndihmojnë në qëndrueshmërinë rajonale dhe një prej tyre nuk është aq konstruktive dhe bën deklarata për Kosovën duke nxitur shqetësime. Ka po ashtu një ndikim që nxit shqetësime në Bosnjë dhe nuk ndihmon në përpjekjet e BE-së dhe NATO-s. Komuniteti ndërkombëtar po vëzhgon retorikën e disa partive”, tha Escobar.

Kryeministri malazez, Milojko Spajiç, vuri theksin te përfitimet nga të qenit vend anëtar i NATO-s, posaçërisht në zhvillimin ekonomik.

“Për investitorët nëse jeni anëtar i NATO-s, jeni më i besueshëm dhe siguria fizike është e rëndësishme. Kur jeni anëtar i NATO-s ju ofrohet siguri”, tha kryeministri malazez.

Me vizitën në Podgoricë, zoti Escobar i dha fund një vizite në Bruksel, Vjenë e Prishtinë, ku qëndroi në përpjekje për ripërtëritjen e procesit të normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë.

Zyrtarët perëndimorë janë vënë në përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet në Ballkan mes frikës se Rusia mund të përpiqet të nxisë probleme në rajon, për të tërhequr vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.

*Pjesë të këtij materiali u morën nga agjencia e lajmeve Associated Press./VOA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share