“Nuk erdha që t’u them njerëzve si të votojnë”
Në përfundim të takimeve që kishte programuar gjatë vizitës së tij në Shkup, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar mohoi që të ketë bërë presion ndaj opozitës për votimin e ndryshimeve kushtetuese. Gjatë një interviste për mediat në Maqedoninë e Veriut ai theksoi edhe një herë se e rëndësishme për SHBA-në është vijimi i proceseve integruese.
“Nuk erdha këtu që t’u them njerëzve si të votojnë. Nuk erdha për t`u thënë se si të formojnë Qeverinë. Nuk ua bëjmë këtë aleatëve të NATO-s. Nuk kërkoj nga njerëzit ta mbështesin Qeverinë. Kërkoj, ju lutem, punoni me ne, që ta mbështesim rrugën evropiane që do të jetë e dobishme edhe për ne”
Ndërsa kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski tha se Eskobar ka qenë i keqinformuar nga qeveria.
“Kjo qeveri që ka besueshmëri zero po i keqpërdor përfaqësuesit ndërkombëtar ku bëjnë pjesë edhe SHBA-ja me informata të rrejshme dhe disa nga këto informacione të rrejshme e kishim patjetër që ti debrifojmë gjatë takimit me Z. Escobar dhe ambasadoren Ageller”.
Për takimin me Escobar-in foli edhe zëvendëskryeministri Artan Grubi, i cili tha se pas kësaj vizite shpreson se VMRO-DPMNE-ja përfundimisht do të mbledhë forcat, do ta tejkalojë vetveten dhe do t`i mbështesë ndryshimet kushtetuese.
Tv Klan