Escobar do të marrë pjesë në takimin e Ohrit

I dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit në rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Lajmin e ka konfirmuar Ambasada amerikane në Shkup për Radion Evropa e Lirë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të shtunën e 18 marsit do të zhvillojnë një takim të nivelit të lartë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim

Duke filluar nga ora 10:00, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me kryeministrin Kurti dhe me presidentin Vuçiq.

Më pas, do të zhvillohet një takim i përbashkët.

“Të shtunën më 18 mars, Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti Josep Borrell do të thërrasë një takim të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë në Ohër, Maqedonia e Veriut. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti konfirmuan pjesëmarrjen e tyre”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Në takim do të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në njoftimin e zyrës së Bashkimit Evropian është bërë e ditur se takimi do të zhvillohet në rezidencat shtetërore.

Kryeministri Kurti, ka thënë të martën se është optimist për takimin e radhës me Serbinë, që zhvillohet më 18 mars në Ohër, por që nuk varet gjithçka nga ai.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share