Mediat: 4 ndeshje të Llapit, objekt i basteve në Francë
Dyshime për trukime në futbollin e Kosovës. Mediat në Francë shkruajnë se të paktën 4 ndeshje të kampionatit vendas janë manipuluar për arsye përfitimi vitin e kaluar.
Disa janë të arrestuarit për këtë çështje të cilët kanë vendosur baste në Francë që sillnin mbi 360 mijë euro. Përflitet se skuadra është Llapi sipas mediave në Kosovë që citojnë gazetën “Le Parisen”, por klubi nga Podujeva është distancuar menjëherë nga këto akuza.
Trajneri i saj i kontaktuar nga TV Klan, Tahir Batadina i konsideron të pabaza dhe se është përqendruar të ndeshja e kampionatit me Prishtinën. Ndërkohë klubi në njoftimin për mediat thotë se nuk ka asnjë informacion të konfirmuar nga organet e hetuesisë rreth këtyre pretendimeve.
Të premten është vënë në lëvizje Federata e Futbollit të Kosovës që në një njoftim për mediat tha se shqyrtoi raportimet lidhur me pretendimet në mediat lokale dhe ndërkombëtare për parregullsi në ndeshje të Superligës së Kosovës.
Komiteti Ekzekutiv ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për ta hulumtuar rastin dhe për ta adresuar atë në mënyrë urgjente tek organet kompetente.
Tv Klan