Drita ka treguar një tjetër paraqitje të madhe në garat evropiane.
Skuadra e drejtuar nga Ardian Nuhiu, të enjten, ka barazuar 0:0, në duel me skuadrën belge, Royal Antwerp, në ndeshjen e parë të rrethit të dytë të Ligës së Konferencës.
Antwerpi ashtu siç pritej e dominoi lojën gjatë tërë ndeshjes, por hasi në një lojë tejet të disiplinuar të futbollistëve të Dritës, të cilët nuk lanë shumë hapësira në mbrojtje, teksa edhe paraqitja e portierit Faton Maloku ishte e nivelit të lartë.
Në anën tjetër, Drita në disa raste u tregua e rrezikshme nëpërmjet kundërsulmeve, e ku rastin më të mirë e pati Arbnor Muja, pas minutës së 80-të, por gjuajtja e tij shkoi në duart e portierit të skuadrës belge.
Kësisoj, gjithçka rreth skuadrës e cila do të kalojë tutje do të vendoset pas një jave në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, e ku pritet një atmosferë madhështore nga tifozët.