“Ditët e Alfabetit”, prezantohet 70-vjetori i punës së Institutit Albanologjik të Prishtinës

Në ditën e katërt të manifestimit “Ditët e Alfabetit” u shënua 70 vjetori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, ku u prezantua veprimtarinë e tij në fusha të ndryshme, përmes publikimeve dhe aktiviteteve të cilat mbrojnë trashëgiminë kombëtare, por njëkohësisht dhe historia e vështirë e ndërtimit dhe përballjes me sistemin shtypës politik.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani tha se angazhimi i Institutit të Albanologjisë me të gjitha kapacitetet e tij ka bërë që ai të jetë një ndër promotorët kryesorë
për shtetndërtimin e Kosovës dhe se puna e tij është reflektuar edhe në shtetet fqinje, ndërsa kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë me themelimin e ITSHKSH, duke orientuar atë në çdo
hap që të mbërrijë në nivelin e një institucioni të respektuar.

Drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi, përgëzoi ITSHKSH- në për Ditët e Alfabetit dhe njashtu e vlerësoi si Instituti më dinamik në fushën e albanologjisë me të cilin është zhvilluar një partneritet i shkëlqyeshëm.

Më tej vijoi prezantimi, me ç’rast studiuesi Lulëzim Lajçi u përqendrua në veprimtarinë botuese të Institutit Albanologjik gjatë vitit 2022, duke numëruar një sërë revistash, librash dhe
materiale arkivore. “Vepër me vlera të veçanta për krijmitarinë e profesor Rexhep Qosjes” ishte tema e Abdurrahim Maxhunit, ku duke iu referuar studiueses Shefkije Islami, bëri një
vëzhgim të punës vëllimore të largpamësit Qosja. Më pas, Angjelina Hamza prezantoi mbi temën “Kontribute etnologjike të profesoreshës Drita Halimi-Statovci”.

Ndërkaq, kumtesat e tjera paraqitën punën e degëve brenda Institutit Albanologjik si më poshtë: Fadil Grajçevci me temën “Aktivitete shkencore të Degës së Letërsisë të Institutit Albanologjik”,  Nuridin Ahmeti me temën “Dega e Historisë së Institutit albanologjik (1953-2023)” dhe Arbnora Dushi me temë “Dega e Folklorit: Një rrugëtim përvijues nga qasjet paradigmatike tek perspektiva e studimeve”.

Aktiviteti u mbyll me urimin që ky Institut së bashkë me institucionet e tij simotra si ITSHKSH, ta dyfishojnë aktivitetin shkencor duke pasur një shtrirje gjithnjë e më të gjerë.Programi i “Ditëve të Alfabetit” vijon nesër me përurimin e librit “Zhvillimet kulturore – historike te shqiptarët në Maqedoni gjatë shekujve XIX – XX”, në ora 10:00 në ITSHKSH- Shkup.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share