Dhunuan dhe dogjën 61-vjeçarin për borxhin 10 mijë Euro, “arrest me burg” për dy persona

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Gazmir Ngotën dhe Marjeta Karain, të akuzuar për vrasjen e 61-vjeçarit, Mehdi Kurt-Dedës në vitin 2017, duke e djegur të gjallë në Kodër Shupal.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci raporton se para gjykatës, e dyshuara Karai ka mohuar krimin.

Në zonën e Kodër Shupalit 5 vite më parë 61-vjeçari, Mehdi Shaban Kurt-Deda u dhunua barbarisht dhe u lidh me zinxhirë në njërën prej pemëve e më pas u dogj për së gjalli.

Krimi është zbardhur 5 vjet më vonë. Policia tha se shkak i ngjarjes së rëndë do të bëhej një borxh i pashlyer në vlerën e afro 10 mijë Eurove që viktima i kishte shtetases Marjeta Karaj 56 vjeç, që shihni në këtë foto, e cila u arrestua.

Së bashku me të në pranga përfundoi dhe 39-vjeçari, Gazmir Ngota. Ndërsa në kërkim u shpall djali i 56-vjeçares, Besmir Karaj, që rezulton të jetë larguar jashtë vendit.

“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë kontaktuar në zonën e Xhamllikut, shtetasin Menduh Kurt–Deda, i cili fshihej prej kohësh, si pasojë e një borxhi të pashlyer, e kanë marrë me forcë atë, në automjet, dhe kanë shkuar në zonën e Alliasit, ku kanë ushtruar dhunë ndaj tij. Më pas, e kanë transportuar në një zonë pyjore, në vendin e quajtur “Kodër Shupal”, ku pasi e kanë dhunuar dhe lidhur 61-vjeçarin, e kanë djegur atë me lëndë djegëse”, deklaroi drejtori i Policisë së Tiranës, Lorenc Panganika.

Mbetjet kockore të gjetura në atë kohë vendngjarje zbuluan identitetin e viktimës. 61-vjeçari punonte në një organizatë me Marjeta Karajn, e cila ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen gjate marrjes në pyetje nga policia.

Por ka qenë i arrestuari tjetër Gazmir Ngota, i cili ka pranuar se ka marrë pjesë në dhunimin e më pas djegien për së gjalli të 61-vjeçarit Mehdi Shaban Kurt-Deda. Policia thotë se Marjeta Karaj ka qenë e pranishme kur viktima është marrë me forcë në makinë, por jo kur është vrarë.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share