Të paktën 10 persona mbetën të plagosur lehtë dhe tre të plagosur rëndë në një aksident të rëndë autobusi në autostradën A4 në veri të Italisë, njoftuan sot zjarrfikësit, duke shtuar se shumica e tyre janë turistë nga Ukraina, njofton AMI.
Aksidenti, siç përcjell KlanM, ka ndodhur mbrëmë pasi një autobus është përplasur me një kamion, njofton shërbimi zjarrfikës në rrjetin social X.
Autobusi transportonte kryesisht turistë ukrainas, përfshirë disa fëmijë, raportojnë mediat italiane.
Sipas raporteve fillestare, autobusi goditi pjesën e pasme të një kamioni në autostradën A4 drejt Triestes, midis Latisana dhe San Giorgio di Nogaro, në rajonin verior italian të Friuli-Venezia Giulia, përcjell KlanM.
Në vendin e aksidentit janë dërguar dhjetë njësi zjarrfikëse për nxjerrjen e pasagjerëve nga autobusi.
Dy helikopterë kanë qenë në gatishmëri për të transportuar të plagosurit në spital, ndërsa është përfshirë edhe mbrojtja civile.
Për shkak të aksidentit qarkullimi është ndërprerë, ndërsa drejtuesit e mjeteve të ardhur nga drejtimi i Venecias janë dashur të dalin nga autostrada pranë Latisanës./KlanMacedonia