Investitorët e kriptomonedhave me pritshmëri për rritje të madhe gjatë presidencës Trump

Investitorët në kriptomonedha kanë shpresa të mëdha për presidencën e ardhshme të Donald Trump-it, i cili u paraqit gjatë fushatës elektorale si mbështetës i monedhave dixhitale.

Zërit i Amerikës, njofton më gjerësisht për masat që mund të marrë administrata e ardhshme amerikane për ta forcuar këtë sektor të ri të tregut financiar.

Ndërsa bënte fushatën për president, Donald Trump-i e krahasoi komunitetin e Bitcoin-it me fuqinë e çelikut amerikan 100 vite më parë.

“Kjo është fryma që ndërtoi Amerikën dhe që do të na ndihmojë ta bëjmë Amerikën sërish madhështore”, tha Trump.

Ai deklaroi se do t’i bëjë Shtetet e Bashkuara kryeqytetin e kriptomonedhave të planetit.

“Nëse kriptomonedhat do të përcaktojnë të ardhmen, atëherë dua që të përqëndrohen në Shtetet e Bashkuara”, tha Trump.

Pas fitores së Trump, vlera e monedhës Bitcoin arriti lartësi të reja. Investitorët tek monedhat dixhitale inkurajohen nga premtimet e zotit Trump për të lehtësuar mbikëqyrjen nga Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë dhe Këmbimit, ku analisti i tregut Garrick Hileman thotë se administrata e Presidentit Joe Biden përdori kontrolle më të forta për të mbajtur jashtë disa aktorë të këqij.

“Me siguri ka patur një efekt zmbrapsës për manipulatorët që duan të merren me kriptomonedhat. Pra, nëse tani prezantoni rregulla të lehtësuara, mund të shkaktohen më shumë mashtrime dhe krime, gjë që ka një efekt shumë negativ tek njerëzit që kërkojnë ta përvetësojnë këtë si një investim real”, thotë Hileman.

Ekipi pro monedhave dixhitale i Presidentit të zgjedhur Trump po shqyrton gjithashtu ndryshime të tjera politikash për ta mbështetur këtë sektor, thotë analistja e tregut Susannah Streeter, nga firma “Hargreaves Lansdown”.

“Politikat që ata kanë paraqitur përfshijnë krijimin e një rezerve strategjike të Bitcoin-it dhe kriptomonedhave të tjera. Deri më tani pasuritë që u janë sekuestruar kriminelëve, janë shitur. Por ideja pas kësaj do të ishte që jo vetëm të mbaheshin këto pasuri, por edhe të shtohen në vitet e ardhshme”, thotë ajo.

Streeter thotë se përqasja e Presidentit të zgjedhur Trump duket më shumë në përputhje me interesat e kriptomonedhave për ta mbajtur këtë industri përgjithësisht të decentralizuar.

“Ekipi gjithashtu duket se nuk ka mbështetur sugjerimet për monedhën dixhitale të bankës qendrore, pra një dollar dixhital që në fakt mund të çojë në më shumë centralizim të monedhës, gjë që sigurisht nuk mbështetet nga sektori i kriptomonedhave”, thotë zonja Streeter.

Në këtë drejtim ka rol edhe Elon Musk-u. Kompania e tij e automjeteve elektrike Tesla zotëron një sasi të konsiderueshme të kriptomonedhës Bitcoin.

Zoti Musk iu bashkua fushatës zgjedhore të zotit Trump në muajin e fundit dhe pritet të drejtojë përpjekjet e qeverisë së ardhshme për të përmirësuar efikasitetin.

“Nuk kam qenë aktiv politikisht më parë. Jam tashmë politikisht aktiv, sepse mendoj se e ardhmja e Amerikës dhe e ardhmja e qytetërimit është në rrezik”, tha zoti Musk.

Eksperti Hileman thotë se zoti Musk do të jetë themelor për krijimin e entuziazmit për kriptomonedhat.

“Ai është një mbështetës i madh i monedhës Dogecoin, që përputhet me filozofinë e tij se rezultati më argëtues, është rezultati më i mundshëm”, thotë eksperti Hileman.

Monedhat dixhitale ende përballen me pengesa për t’u pranuar më gjerësisht. Të dhënat e Qendrës Kërkimore Pew muajin e kaluar treguan se gati dy të tretat e amerikanëve thonë se kanë pak, ose aspak besim se janë të besueshme dhe të sigurta mënyrat aktuale për të investuar, tregtuar, apo përdorur kriptomonedhat.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share