Vazhdojnë kërkimet për skafin që u nis nga Antalia me destinacion Italinë
Dhjetëra emigrantëve nga Lindja e Mesme iu është ndërprerë udhëtimi nga Antalia drejt Italisë pasi varka e tyre është përmbytur pranë ishullit grek të Rodosit.
Ata e nisën udhëtimin e tyre dy ditë më parë nga porti i Antalias në Turqi me destinacion Italinë edhe pse autoritetet turke nuk duhej që të lejonin trafikun e klandestinëve, një nga kushtet e marrëveshjes së tyre me Brukselin nga ku kanë marrë rreth 6 miliardë Euro për mbajtjen e refugjatëve.
Operacioni i gjerë i Rojes Bregdetare greke po vijon në kërkim të refugjatëve, varka e të cilëve u shkatërrua në zonën 38 milje detare në jug të Rodosit.
Nuk dihet numri i saktë i refugjatëve në varkë ndërsa deri tani janë shpëtuar 29 persona. Të shpëtuarit janë të gjithë meshkuj , shumica me kombësi afgane, iraniane dhe irakiane.
Vihet re se vetëm një pjesë e vogël e tyre kishin veshur jelek shpëtimi.
Varka ishte 15 metra e gjatë, me kabinë dhe ka mbajtur një kapacitet më të madh njerëzish sesa lejohej nga rregulloret e lundrimit.
Operacioni i shpëtimit përfshin dy anije të Rojës Bregdetare, dy anije të Marinës, katër anije lundruese si dhe një helikopter Super Puma, ndërsa në vendngjarje ndodhet edhe një varkë shpëtimi e Rojës Bregdetare greke.
Në zonë, deti i trazuar i përfshirë nga erërat e forta po vështirëson punën e anijeve të shpëtimit.
Klan News