Deri në mes të shtatorit emërim i ekipit për negociata me BE-në

MARIÇIQ: NUK KA NEVOJË PËR REFERENDUM

Deri në mes të shtatorit, kur pritet të fillojë skriningu për harmonizimin e ligjdhënies në vend me atë të BE-së, Qeveria pritet të emërojë ekipin që do të kyçet në komunikimin me Brukselin. Zv/Kryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq konsideron se në administratën shtetërore ka kapacitet të udhëheqjen e negociatave me BE-në, por se ata njerëz duhet të motivohen në mënyrë plotësuese. Sipas tij negociatat aderuese me BE-në kanë filluar para dy ditëve, krahas akuzave të opozitës se vendi sërish ka marrë vetëm kusht për hapjen e procesit aderues. Mariçiq konsideron se nuk ka nevojë për organizimin e referendumit për disponimin e popullatës në raport me negociatat aderuese me BE-në.

Me harmonizim të 45% të ligjdhënies vendase me atë evropiane, autoritetet në vend shpresojnë se skriningu, si fazë e parë e procesit negociues me BE-në, që pritet të fillojë në mes të muajit shtator, mund të rrumbullkaësohet për 16 muaj. Derisa përgatitet kalendari për hapat e rradhës, do të formohet edhe ekipi nga administrata shtetërore, i cili i pari do të kyçet në proces, ndërsa detyrat e tyre prioritare do të jenë nga klasteri “Fundamentet”, i cili do të hapet i pari dhe do të mbyllet i fundit.

“Ky është udhërrëfyesi për sundimin e së drejtës, udhërrëfyesi për funksionimin e institucioneve demokratike dhe udhërrëfyesi për reforma në administratën publike. Do të thotë këto tri gjëra duhet t’i bëjmë në muajt e ardhshëm, së bashku me Komisionin Evropian. Kjo do të jetë më e rëndësishmja për veprimin e mëtejshëm,” deklaroi Bojan Mariçiq, zv.Kryeministër për Çështje Evropiane.

Nga dialogu në Kuvend varet kur do të përfundojë faza e skriningut dhe kur Maqedonia e Veriut do të ketë kushte për detyrën e dytë në procesin aderues – ndryshime në Kushtetutë për shkak të përfshirjes së bullgarëve në mesin e bashkësive kushtetuese në vend. Mariçiq konsideron se referendumi, siç kërkon opozita, nuk është i nevojshëm.

“Këtë herë kemi legjitimitet dhe kapacitet të mjaftueshëm të institucioneve, posaçërisht të Kuvendit që të diskutojë, të bisedojë dhe përmes një procesi demokratik të dialogut të përpiqemi të arrijmë në 2/3 e votave, që garanci e mjaftueshme dhe legjitimitet për ndryshimet kushtetuese pa referendum. Ky është qëndrimi im personal,” deklaroi Bojan Mariçiq, zv.Kryeministër për Çështje Evropiane.

Mariçiq konsideron se Maqedonia e Veriut, pas pothuajse dy dekada në sallën e pritjes dhe dy bllokada nga fqinjët, tani mund ta kapë trenin për anëtarësim në BE me Serbinë dhe me Malin e Zi, kurdo që të hapet dera e BE-së, sepse procesi aderues nuk fillon nga zero./KLanMacedonia/

 

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share