Dallimet e Trump me republikanët e tjerë për politikën e jashtme

Republikanët në Kongres mbështesin shumë çështje të ngjashme me ato të kandidatit të tyre për President Donald Trump sa i përket politikës së jashtme. Kjo përfshin mbështetjen e Uashingtonit për Izraelin. Ligjvënësit kanë ende dallime të rëndësishme sa i përket politikave ndaj Kinës, tarifat dhe ndihmat për Ukrainën, që mund të vështirësojnë mandatin e dytë të ish Presidentit Trump.

Ish-presidenti Donald Trump u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu muajin e kaluar…

“Asnjë president nuk ka bërë atë që kam bërë unë për Izraelin dhe ne kemi pasur gjithmonë një marrëdhënie të mirë”, tha Trump.

Ish Presidenti Trump e ka kritikuar më parë Kryeministrin Netanyahu për dështimet e sigurisë që ai pretendon se mundësuan sulmin e Hamasit të 7 tetorit. Gjatë administratës së Trump ishte e vështirë të parashikoheshin veprimet e tij në kuadër të politikës së jashtme. Një analist i tha Zërit të Amerikës se platforma e politikës së jashtme të Partisë Republikane për vitin 2024 e pasqyron këtë paparashikueshmëri.

“Nuk ka shumë të dhëna dhe kjo i jep atij përparësinë për të qenë në gjendje të formulojë një politikë në mënyrën që ai e sheh të arsyeshme për momentin, në vend që të bllokohet me politika të përcaktuara qysh në fillim të një mandati”, thotë Chris Turtle nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë.

Kolegët republikanë të  Trump thonë se aplikacioni i mediave sociale ‘TikTok’ kontrollohet nga qeveria kineze dhe mund të përdoret për të marrë informacione mbi përdoruesit dhe për të ndikuar në bindjet e tyre politike.

“Unë nuk dua që Partia Komuniste Kineze të marrë të dhënat personale të qytetarëve tanë dhe as të jetë në gjendje të bëj propagandë ndaj publikut amerikan”, thotë Mitt Romney, senator republikan.

Por Trump nuk pajtohet më me ndalimin e TikTok-ut.

“Ne do ta shpëtojmë TikTok-un. Ata duan të shkatërrojnë atë. Pra, të gjithë përdoruesit në TikTok, votoni për Trump-in”.

Ish Presidenti gjithashtu ka kritikuar NATO-n, duke pretenduar se vendet anëtare nuk paguajnë aq sa duhet për mbrojtjen e përbashkët. Kandidati i tij për Nënpresident JD Vance, ka qenë edhe më kritik ndaj dërgimit të ndihmave amerikane në Ukrainë.

“Le të mos e ngatërrojmë guximin e trupave ukrainase me faktin se ata kanë udhëheqjen dhe qeverinë më të korruptuar në Evropë dhe ndoshta kudo në botë”, thotë zoti Vance.

Kjo është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me qëndrimin e udhëheqësit të shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, i cili ka thënë se ndihma për Ukrainën është thelbësore për mbrojtjen e demokracisë në Evropë.

“Nuk është më një çështje e garantuar që Amerika do të përgjigjet me forcë ndaj agresionit apo edhe nëse do të mbështesë aleatët tanë 100%”, thotë zoti McConnell.

Analistët thonë se zotimet e Trump për të rritur tarifat nëse ai fiton zgjedhjet mund të shkaktojnë konfliktin më të madh me ligjvënësit republikanë.

“Kjo tregon ndryshimin e Partisë Republikane që nga viti 2016, sepse republikanët historikisht kanë qenë mbështetës të tregtisë së lirë”, thotë Gordon Grey nga Universiteti ‘George Washington’.

Ish Presidenti Trump është zotuar të vendosë të paktën 60% tarifa për Kinën dhe 10% tarifa për importet nga vendet e tjera nëse ai fiton./VOA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share