Dalin pamjet e aksidentit me 3 viktima tek rrethrrotullimi i TEG

Shkak shpejtësia e lartë. 20-vjeçari tentoi të frenonte

Ky është momenti kur automjeti tip Audi, që drejtohej nga 20-vjeçari Klevis Ruçaj, përplaset me barrierat mbrojtëse të rrethrrotullimit të TEG, e për pasojë përfundon në nënkalimin e autostradës Tiranë-Elbasan, duke i rënë përsipër një automjeti tjetër.

Tv Klan ka siguruar këto pamje të fiksuara nga një kamera sigurie e vendosur në rrethrrotullim.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Siç shihet, makina tip Audi A8 ka qenë duke lëvizur me një shpejtësi tejet të lartë në unazën lindore, me drejtim nga Farka për në mbikalimin e TEG.

Ajo vjen me shpejtësi në rrethrrotullim, për pak përplaset me një autoveturë tjetër dhe godet me shpejtësi guardarielat mbrojtëse dhe fluturon në korsinë e fundit të autostradës, duke goditur më parë një makine Hundai në lëvizje, ku gjendeshin 3 persona.

“20-vjeçari Klevis Ruçaj që lëvizte me automjetin tip Audi, ka tentuar të frenojë rreth 30 metra përpara rrethrrotullimit të TEG, megjithatë kjo manovër e të riut nuk ka mjaftuar për shmangur përplasjen me barrierat mbrojtëse të mbikalimit”.

Deri në këtë fazë të hetimit policia ende nuk ka përcaktuar shpejtësinë me të cilën lëvizte Audi A8, ku gjendeshin edhe Erisilda Abedini, 22 vjeçe nga Tirana dhe Sikela Përroj, 23 vjeçe nga Cërriku, të cilat humbën gjithashtu jetën bashkë me 20-vjeçarin Ruçaj.

Shpejtësia tej normave duket se ishte një nga pasionet e 20-vjeçarit. Në disa video të publikuara në rrjetet sociale i riu shfaqet duke udhëtuar me shpejtësi deri në 276 km në orë, edhe pse ishte pa eksperiencë. Ai ishte pajisur 1 vit më parë me patentë dhe ishte ndëshkuar 5 herë për shkelje të qarkullimit rrugor, konkretisht për parakalim të gabuar, shpejtësia tej normave dhe përdorim celulari.

Tre të plagosurit e tjerë, Qemal Kurti, Arta Kurti, Ojgen Kurti që ndodheshin në makinën që Audi i ra përsipër, po trajtohen në Spitalin e Traumës dhe mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën.

Policia Rrugore e Tiranës pritet ndërkohe të përcaktojë zyrtarisht shkaqet e aksidentit që u mori jetën tre të rinjve, duke shfrytëzuar edhe pamjet e kamerave të tjera të sigurisë që ndodhen në zonën e aksidentit./ Tv Klan

VIDEO

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share