Chollet: Mirëpresim vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha të premten se Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në një postim në rrjetin Twitter ai tha se ka biseduar për këtë çështje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. “Tani na duhet zbatimi për të siguruar përfitime të rëndësishme për të dyja vendet”, shkroi zoti Chollet.

Duke e shpërndarë postimin e zotit Chollet, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, shkroi se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin plotësisht hapat e ardhshëm për propozimin evropian.

“Ky përparim është i rëndësishëm për Kosovën pasi ne mbështesim integrimin e saj të plotë në strukturat euroatlantike dhe ndërkombëtare“, shkroi ambasadori Hovenier.

Muajin e kaluar, të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Italisë u takuan me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë për t’i bindur që të nënshkruajnë një marrëveshje, ndërsa thanë se palët duhet të deklarojnë deri në mars nëse pranojnë propozimin e tyre për të normalizuar marrëdhëniet ose do të përballen me pasoja.

Propozimi evropian, nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve. Beogradi tha se është i gatshëm të bisedojë por nuk do të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, ndonëse propozimi nuk e përfshinë një gjë të tillë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili raportoi në parlamentin serb për bisedimet me Kosovën, vuri theksin te pasojat me të cilat do të përballet vendi i tij, nëse refuzon propozimin evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se e pranon propozimin, me gjithë shqetësimet rreth trysnisë perëndimore për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian, siç e kemi thënë edhe më herët, si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si një platformë solide për të ecur përpara. Çështje e pikëpyetje të caktuara kanë ngelur që të trajtohen së shpejti në bisedimet në Bruksel e që kanë të bëjnë me mekanizmat implementues, me garancitë ndërkombëtare dhe sekuencimin kohor, çka, si e kur, prandaj këto kanë mbetur të diskutohen në takimet të cilat do t’i kemi në Bruksel”, tha ai.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të enjten se pret të organizojë së shpejti një takim të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të diskutuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre sipas propozimit evropian, që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Udhëheqësit e vendeve të BE-së, përfshirë edhe vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës i dhanë mbështetje propozimit duke e cilësuar atë “mundësi historike që duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët”.

Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve kryesore euro-perëndimore, pothuajse një dekadë pas një lufte të përgjakshme, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Serbia kundërshton Pavarësinë e Kosovës e mbështetur nga aleatja e saj Rusia dhe për këtë arsye ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. /VOA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share