Cardinale mban Milanin dhe Piolin

Pronari i Klubit me ide të qarta, kërkon që kuqezinjtë të dominojnë Serie A dhe Europën

Pronari i Milanit, Gerry Cardinale, blindon Piolin dhe i quan thashethemet për shitjen e klubit si krejtësisht të pavërteta. Ai e bën të qartë se angazhimi i tij me kuqezinjtë është afatgjatë.

Objektivi është të ngjisë Milanin në krye të Serie A dhe të fitojë Ligën e Kampionëve. Për italianen “Corriere della Sera”, pronari i kuqezinjve tha se është plotësisht i përqendruar te “Djalli”.

“Dua të jem i qartë! Është plotësisht e pavërtetë që dua të shes klubin. Unë jam këtu për të qëndruar për një kohë të gjatë, kam një punë për të bërë. Unë jam i përkushtuar për ta rikthyer Milanin në krye të Serisë A dhe Europës dhe nuk do të ndalem përpara se t’i arrij këto rezultate. Dhe kur t’i kemi arritur ato, unë do të kërkoj t’i arrij sërish.”

Numri 1 i Milanit flet edhe për të ardhmen e teknikut.

“Trajneri po bën një punë të mirë, jemi afër vendit të dytë! Kemi ndryshuar shumë dhe duhet kohë për të krijuar një ekip të qëndrueshëm. Jemi ende në rritje dhe merita për këtë duhet t’u jepet lojtarëve, stafit dhe trajnerit. Do të shohim në fund të sezonit se ku do të arrijmë”.

Sipas Kardinales fakti që nuk je i kënaqur për një periudhë të caktuar, nuk do të thotë se do të marrësh vendimin që të shkarkosh trajnerin.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share