Botërori 2022 | Festimet e tifozëve marokenë, përplasje me policinë në Bruksel dhe Lille

Mbushen rrugët në Barcelonë, Paris dhe Kasablanka

Pasi mposhtën Spanjën në penallti dhe u kualifikuan në çerekfinalen e Kupës së Botës, me mijëra tifozë të Marokut festuan në Barcelonë arritjen historike.

Sheshi qendror i lagjes Raval, u bë qendër e festimeve, ku nuk munguan fishekzjarrët dhe këngët.

Festime pati edhe në Madrid, Bilbao dhe Metija. Rreth 16% e popullsisë spanjolle është me origjinë nga Maroku.

Festime pati edhe në Paris pas suksesit historik. Përfaqësuesja marokene është e para nga vendet arabe që arrin të shkojë në çerekfinalet e një kampionati botëror.

Nuk mungoi festa as në Kasablanka. Në metropolin maroken ishin me mijëra fansat që mbushën rrugët e qytetit duke brohoritur. Ata festuan mbi makina, duke u rënë borive e duke valëvitur flamurët.

Në Bruksel, festimet e tifozëve u kthyen të dhunshme. Fansat nga Maroku të cilët jetojnë në kryeqytetin belg u përplasën me policinë. Ata hodhën fishekzjarrë në drejtim të agjentëve, ndërsa ndaj tyre u përdor gaz lotsjellës dhe hedhëse uji për t’i shpërndarë.

Edhe në Lil të Francës situata u tensionua. Grupet e tifozëve nga Maroku goditën policinë me fishekzjarrë dhe ndezën zjarre në rrugë. Agjentët u përgjigjën duke hedhur gaz lotsjellës, e duke ndërhyrë për të shpërndarë turmat.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share