Bora përfshin Jugun e Gjermanisë

Mbi 300 fluturime janë anuluar në aeroportin e Mynihut, alarmi i kuq është vendosur në veri të Italisë si pasojë e dëborës

Reshjet e dendura të borës goditën Gjermaninë jugore duke shkaktuar ndërprerje të mëdha në aeroportin e Mynihut.

Rreth 320 nga 760 fluturimet e planifikuara janë anuluar. Ekuipazhet po përpiqeshin të mbanin të paktën një pistë në dispozicion për të mos shkaktuar kaos. Aeroporti i Frankfurtit gjithashtu anuloi disa fluturime. Gjithashtu shumica e shërbimeve të autobusëve dhe tramvajve u anuluan për shkak të ngricave dhe pranisë së madhe të dëborës.

Shërbimi kombëtar i motit i Gjermanisë parashikoi borë për pjesën më të madhe të Bavarisë, me 30-40 centimetra. Autoritetet janë vendosur në dispozicion për të zhbllokuar rrugët ndërsa kanë bërë thirrje njerëzve që të mos udhëtojnë.

Autoritetet raportuan dhjetëra aksidente në të gjithë Gjermaninë jugore, duke përfshirë një përplasje masive në një autostradë në jugperëndim me shtatë të lënduar. Bora mbuloi gjithashtu edhe Berlinin duke rregjistruar temperature nën zero. Ndërkohë alarmi portokalli dhe i verdhë është vendosur për pjesën tjetër të vendit për shkak të akullit dhe ngricave.

Ndërkaq moti i keq ka përfshirë sërish Italinë. Mbrojtja Civile ka vendosur alarmin e kuq në një pjesë të madhe të Emilia Romagna për shkak të dëborës, ndërsa alarmi portokalli është vendosur në Liguria, Lombardi dhe Toscana, dhe dymbëdhjetë rajone të tjera.

Ndryshe nga veriu, shiu dhe erërat e forta kanë përfshirë Sardenjën ku autoritetet u kanë bërë thirrje njerzve që të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa energjia elektrike është ndërprerë në disa komuna. Gjatë fundjavës, rryma më të ftohta do të shkaktojnë një rënie të përgjithshme dhe të ndjeshme të temperaturave si dhe prani të akullit dhe ngricave në rrugë.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share