Bllokohet Beogradi nga studentët, të Shtunën protesta masive

Studentët ngritën tenda dhe bllokuan rrugët pranë ndërtesave të ndryshme qeveritare në kryeqytetin serb. Akuzat për manipulim përfshijnë ndërhyrje të paligjshme në regjistrat e votuesve, duke shënuar votimin e njerëzve që në fakt kanë vdekur si dhe për sjelljen e votuesve nga Kosova në Beograd. Këto akuza janë mohuar nga autoritetet vendase.

Nëpërmjet protestës ata kanë kërkuar nga autoritetet atje që të lejojnë hapjen e listës së votuesve.

“Shpresojmë që t’i dërgojmë një mesazh qeverisë se është e nevojshme që ata të dëgjojnë të rinjtë,” tha studentja Ela Zekoviç, e ulur në trotuar. Studenti Milan Bjelanoviӏ tha se mesazhi i dërguar përmes këtij veprimi është për të treguar qëllimet e tyre jo të dhunshme dhe synon të tërheqë vëmendjen për “çfarë ndodhi në të vërtetë ditën e zgjedhjeve”.

Udhëheqësi i opozitës Dragan Djilas u tha gazetarëve se një protestë e madhe ishte planifikuar për të shtunën me 30 dhjetor. Ai akuzoi qeverinë se planifikon qe të përdorë dhunën duke sjellë në kryeqytet përkrahës të saj dhe huliganët e futbollit.

Serbia kundër dhunës ka organizuar protesta të përditshme për rezultatet e zgjedhjeve para komisionit zgjedhor. Mbrëmjen e së dielës (24 dhjetor) protesta u bë e dhunshme dhe 38 persona u ndaluan nga policia.

Studentët shpresojnë që t’i bashkohen protestës së paralajmëruar për të shtunën edhe përfaqësuesit e “ProGlas”, nismë e filluar para zgjedhjeve, e nënshkruar nga më shumë se 190 mijë qytetarë.

Dyshime për parregullsi në procesin zgjedhor shprehu edhe Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), e cila më 18 dhjetor njoftoi se zgjedhjet u shënuan me parregullsi të mëdha, keqpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik nga presidenti Aleksandar Vuçiç, fushatë negative dhe përhapje të frikës.

Gjithashtu, një pjesë e eurodeputetëve kërkuan një hetim të pavarur të të gjitha parregullsive të raportuara gjatë zgjedhjeve të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor. Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë thirrje gjithashtu autoriteteve në Serbi që të hetojnë pretendimet e vëzhguesve ndërkombëtarë.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share