BIOGRAFIA E TALAT XHAFERIT

Kryeministri i parë shqiptar, në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi ka lindur më 15 prill të vitit 1962 në fshatin Forinë të Gostivar. Në Çegran e kryen shkollën fillore. Në vitin 1977 regjistrohet në shkollën e mesme të Gostivarit, ndërsa në vitin 1978 regjistrohet në gjimnazin Ushtarak në Beograd. Në vitin 1981, regjistrohet në Akademinë Ushtarake të Forcave Tokësore – drejtimi i këmbësorisë dhe mësimin e ndjek në Beograd dhe në Sarajevë ku pas përfundimit fiton gradën e nëntogerit.

Prej vitit 1996 deri në vitin 1998 u përkushtohet studimeve pas diplomike, me specializim në detyrat komanduese dhe të shtabit në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihajllo Apostollski” në Shkup, ndërsa në vitin 2013, fiton titullin magjistër.

Karrierën në Armatë e fillon në vitin 1985, fillimisht në Armatën Popullore të Jugosllavisë. Pas pavarësimit të shtetit, respektivisht në vitin 1992, vazhdon si oficer aktiv në Armatën Popullore të Maqedonisë (APM) deri në vitin 2001.

Në vitin 2001 i bashkëngjitet Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Karrierën e vet politike e fillon në vitin 2002, kur kandidohet për deputet në Kuvend nga radhët e partisë politike Bashkimi Demokratik për Integrim dhe zgjidhet për deputet në Kuvend pas çka emërohet koordinator i grupit parlamentar të BDI-së. Në dhjetor të vitit 2004, Talat Xhaferi emërohet zëvendësministër i Mbrojtjes. Në vitin 2008, përsëri zgjidhet deputet në Kuvend nga radhët e BDI-së, ku ka qenë edhe anëtar në disa këshilla dhe komisione në kuadër të Kuvendit.  Gjatë këtij mandati, Xhaferi e ktheu vëmendjen e opinionit në vete, me mbajtjen e fjalimeve maratonike, për bllokimin e Ligjit për të ashtuquajturit “branitellat”. Në 18 shkurt 2013, Xhaferi emërohet Ministër i Mbrojtjes.

Në vitin 2016, për herë të  pestë zgjidhet deputet në Kuvend. Ndërsa në vitin 2017, zgjidhet Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Më 21 gusht të vitit 2020, pas mandatit të tij të gjashtë si deputet, përsëri e fiton besimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit dhe rizgjidhet Kryetar i shtëpisë ligjvënëse në RMV. Talat Xhaferi flet gjuhën shqipe, maqedonase, serbe, kroate dhe angleze. Është i martuar, baba i dy fëmijëve dhe gjysh i një mbese dhe një nipi. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share