Biden zotohet se do ta ndihmojë Ukrainën, pavarësisht marrëveshjes së fundit buxhetore

Presidenti amerikan, Joe Biden është zotuar se do të vazhdojë mbështetja amerikane për Ukrainën, ndonëse fondet ushtarake për të janë përjashtuar nga një marrëveshje e minutit të fundit, që e ka shmangur mbylljen e Qeverisë amerikane.

Ky vendim i përkohshëm, i miratuar për ta shmangur mbylljen, nuk përfshin ndihmë ushtarake për Kievin në vlerë të gjashtë miliardë dollarëve, prioritet i lartë i Shtëpisë së Bardhë.

Republikanët e linjës së ashpër e kundërshtojnë ndihmën e mëtejme ushtarake dhe e kritikojnë qasjen e Bidenit ndaj luftës.

Mirëpo Biden ka thënë të dielën se Ukraina mund të llogarisë në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

“Ne nuk mundemi, në asnjë rrethanë, të lejojmë pengimin e ndihmës së SHBA-së në Ukrainë”, ka thënë Biden.

“Unë mund të rikonfirmoj [për Ukrainën] se do ta realizojmë këtë”, ka thënë ai duke iu referuar fondeve.

“Dua t’i siguroj aleatët amerikanë se mund të llogarisni në ndihmë tonë, se nuk po largohemi askund”.

Deri më tani, Shtetet e Bashkuara kanë ndarë mbi 46 miliardë dollarë si ndihmë ushtarakë për Ukrainën, prej nisjes së luftës së Rusisë në këtë shtet, në shkurt të vitit 2022.

Presidenti Biden i ka kërkuar edhe 24 miliardë dollarë shtesë.

Muajve të fundit, SHBA-ja ka nisur në Ukrainë edhe raketa me rreze të gjatë dhe tanke Abrams.

Ndërkohë forcat e Kievit vazhdojnë të luftojnë në kundërofensivën, që sipas ekspertëve, është duke u zhvilluar me ritëm të ngadalshëm në jug të shtetit.

Në deklarimin e tij para Kievit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka thënë se askush nuk duhet “ta fikë qëndrueshmërinë e Ukrainës”.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share