Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamore nga Kremlini është më i larti në gjashtë dekadat e fundit.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë kërcënime të fshehta për të përdorur arsenalin e tij bërthamor në Ukrainë, dhe Bideni u tha mediave amerikane më 6 tetor se Putini “nuk po bënte shaka”.
“Ne nuk jemi përballur me mundësinë e Armagedonit që nga koha e [presidentit amerikan John] Kennedy dhe krizës së raketave kubane në vitin 1962”, tha Biden në Nju Jork.
Në vitin 1962, Shtetet e Bashkuara nën John Kennedyn dhe Bashkimi Sovjetik nën udhëheqësin e tij, Nikita Hrushovin, iu afruan përdorimit të armëve bërthamore për shkak të pranisë së raketave sovjetike në Kubë.
Javën e kaluar, Putini nënshkroi dekretet për aneksimin e katër rajoneve ukrainase, në kundërshtim me Ligjin ndërkombëtarë. Ky veprim u dënua nga SHBA-ja dhe Perëndimi.