Trupat tokësore izraelite vijojnë përparimin, mungesa e furnizimeve po vë në rrezik milliona njerëz
Presidenti amerikan Joe Biden për herë të parë ka kërkuar ndërprerje humanitare në Gaza. Por fjalimi i tij gjatë një tubimi në Mineapolis, u ndërpre nga një protestuese që bëri thirrje për armëpushim.
“Zoti President, unë po iu kërkoj që të bëni thirrje për armëpushim”. “Mendoj se na duhet një pauzë”, tha Biden. Kjo deklaratë paraqet ndryshim në qëndrimin e tij, pasi Biden gjatë gjithë krizës në Lindjen e Mesme ka qenë i palëkundur në deklarimet e tij se nuk do të diktojnë se si izraelitët do të kryejnë operacionet e tyre ushtarake.
Por, presidenti amerikan është përballur me presion në rritje nga grupet për të drejtat e njeriut, nga liderët botërorë, por edhe nga anëtarët e partisë së tij, të cilët kanë thënë se bombardimet e Izraelit në Gazë janë ndëshkim kolektiv dhe se është koha për një armëpushim. Biden i bëri thirrje kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që t’u ofrojë palestinezëve një pushim të shkurtër nga operacioni ushtarak që ka lënë mijëra të vdekur.
Ndërkaq trupat tokësore të Izraelit vijojnë përparimet drejt Gazës duke goditur mbi 12 mijë objektiva.
Gaza ka qenë dëshmitare e luftimeve të ashpra gjatë natës ku kanë humbur jetën dhjetra persona. Më shumë se 8,800 palestinezë janë vrarë në luftë, kryesisht gra dhe të mitur, dhe më shumë se 22,000 njerëz janë plagosur.
Më shumë civilë pritet të largohen nga Gaza përmes kalimit Rafah. OKB-ja thotë se më shumë se 400 njerëz kaluan dje për herë të parë që nga shpërthimi i luftës. Por pakënaqësitë janë rritur në mesin e banorëve egjiptianë teksa akuzojnë zyrtarët që po punojnë me dy standarte.
“Dua të kaloj, ne nuk jemi kafshë, ne jemi egjiptianë, kemi ardhur në Gaza për një vizitë njëjavore, tani po i lënë shtetasit e huaj të kalojnë në Egjipt dhe nuk na lënë? Çfarë logjike është kjo për të lejuar shtetasit e huaj të kalojnë përmes pikës kufitare egjiptiane dhe të mos lejohen egjiptianët? Cili ligj ndërkombëtar e thotë këtë? Dua që dikush të më përgjigjet, fëmijët e mi janë në Egjipt.”
Egjipti ka thënë se nuk do të pranojë një fluks refugjatësh palestinezë. Ata që mbeten në Gaza përballen me një situatë gjithnjë e më të rëndë humanitare, me furnizimet në fund. Izraeli ka lejuar më shumë se 260 kamionë që transportonin ushqime dhe ilaçe të hyjnë nga Egjipti, por punonjësit e ndihmës thonë se kjo nuk mjafton. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se mungesa e karburantit po vë në rrezik 1000 pacientë në dializë të veshkave, 130 foshnja të lindura para kohe në inkubatorë , si dhe pacientë me kancer.
Ndërkaq ushtria izraelite vijon të sulmojë objektivat e Hezbollahut përgjatë kufirit verior të Izraelit me Libanin që ka nxitur evakuimin e rreth 250,000 në qytetet pranë kufijve në veri dhe jug.
Ndërkaq bastisjet vijojnë në Bregun Perëndimor. Të paktën 60 persona u arrestuan gjatë natës duke e çuar bilancin që nga 7 Tetori i kalon 1800. Tre palestinezë janë vrarë dhe gjashtë janë plagosur në sulmet izraelite në Qalqilya dhe Ramallah. Numri i përgjithshëm i njerëzve të vrarë në Bregun Perëndimor të pushtuar është 133, me më shumë se 2,100 të plagosur.
Klan News