Besimtarët katolikë festojnë Pashkën

Besimtarët katolikë kremtuan mbrëmë në Katedralen e Shën Palit Pashkën. Kjo festë është shumë e rëndësishme për Krishtërimin, pasi shënon ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit.

Besimtarët ndoqën meshën që u drejtua nga kreu i Kishës Katolike në Shqipëri Imzot Arjan Dodaj. Pjesë e ceremonisë ishte edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim.

Festimet e Pashkëve nisin me meshën e madhe të së shtunës mbrëma dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës.

Të gjithë mblidhen rreth tryezës nën refrenin e kësaj dite festive që është: “Krishti u ngjall, vërtet u ngjall”.

Në mesazhin e tij për të gjithë besimtarët Imzot Arjan Dodaj tha se mesazhi i Krishtit të ringjallur vjen në një moment kur bota ka më shumë nevojë.

“Në fillim të vigjiljes sonë në këtë natë kemi ndezur zjarrin e ri rreth të cilit jemi mbledhur. Të ndezësh një zjarr të ri në këtë natë është një shenjë shprese sepse do të thotë të besosh se na është dhënë mundësia të ndërpresim monotoninë e jetës së përbërë nga të këqijat e vjetra që me vese dhe mbrapësi e zaptojnë atë për të vendosur në jetën tonë gjeste të reja për të ndryshuar frymën e kohës sonë, për t’i dhënë një risi jetës sonë. Sa shumë dëshirojmë ta ndezim këtë zjarr në natën e errët që ka bërë familjare korrupsionin, që e ka bërë të natyrshme hemorragjinë e të rinjve nga ky vend, që nuk çudit më me krimin në çdo kontekst të shoqërisë dhe veçanërisht në dhunën ndaj grave. Sa dëshiroj që të ndezim një zjarr të ri për t’u dhënë shpresë familjeve të reja që të mos ballafaqohen me një utopi kur dëshirojnë të ndërtojnë një familje dhe të kenë sa më shumë fëmijë dhe veçanërisht të mund të kenë një shtëpi”, u shpreh ai.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share