Një ditë pas Samitit të Tiranës, Rama: Të krijojmë mekanizma afrimi me BE-në, diçka thelbësore po ndryshon

Kryeministri Edi Rama e konsideron historike e të jashtëzakonshme Samitin e Tiranës të zhvilluar një ditë më parë mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.

Në Bruksel, në sesionin e diskutimit rreth samitit që u mbajt në Tiranë, Kryeministri Edi Rama ishte së bashku me Presidentin e Maqedonisë së Veriut Stevko Pendarovski dhe Kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Rama e nisi fjalën e tij duke kujtuar një pyetje që i kishin bërë dikur, se çfarë do t’i sjellë Shqipëria, Bashkimit Europian. “Buzëqeshje”, tha Rama, duke sjellë në vëmendje se pikërisht këtë bëri edhe samiti i djeshëm në Tiranë.

“Kur dikush më pyeti çfarë mund t’i sjellë Shqipëria, BE-së? Nuk është e lehtë t’i përgjigjesh kësaj pyetje, i thashë mund t’i sjellim ca buzëqeshje, dhe sollëm buzëqeshje në fytyrat e tyre, ishin më mirë se sa kur mblidhen në Brukselin e mërzitshëm. Ajo që ishte shumë e bukur ishte që te fotoja në grup, dëgoja pas meje, dielli, shikoje diellin, sa diell i bukur. Ishte njësoj sikur njerëzit kishin dalë nga një shpellë pas një kohe të gjatë dhe i gëzoheshin diellit.

Për të folur për buzëqeshjen mendoj që është shumë më e thellë se sa ajo që duket. Sepse ne shqiptarët jem shumë besnikë dhe kurrë të mërzitshëm. Këto dy gjëra janë të nevojshme në BE. Jemi shumë besnikë dhe popullariteti i BE në Shqipëri vijon të mbetet shumë i lartë, barometri i BE e thotë këtë gjë, vendi më proeuropian në kontinent, sepse ne kemi ardhur nga ferri. Për ne Jugosllavia ku jetonin këta (i referohet Abazoviç dhe Pendarovskit) për ne ishte planeti i lirë, përveç vëllezërve e motrave tona kosovare, por ne natyrshëm u bëmë kaq të përkshtuar ndaj BE saqë askush, asgjë, nuk mund të na ndryshojë. Kështu që ne do jemi këtu të mbrojmë BE-në nga BE-ja, nëse duan të largohen ne do t’u themi nuk do të ikni”.

I pyetur nëse ka shpresë për ndryshim pas Samitit të Tiranës, Rama tha se shikon ndryshim thelbësor dhe se Shqipëria duhet të krijojë mekanizma afrimi me BE-në. Ndërsa integrimi i plotë është një proces që do të ndodhë jo shpejt, por duhen përmbushur të gjitha kushtet, theksoi kreu i qeverisë shqiptare.

“Për të qenë shumë serioz, samiti dje ishte i mahnitshëm, historike, ishte ngjarja më e rëndësishme në historinë e marrëdhënieve me jashtë të Shqipërisë. Le të flasim njëherë pastaj le të martohemi kur të vijë koha. Unë e di që mund të shkojë shumë mirë në një bashkëjetesë paqësore. Të krijojmë mekanizma afrimi që nuk janë të kushtëzuara nga detyra individiuale të bazuara në meritë. Dje isha mikpritësi dhe isha shumë i ëmbël me ta dhe nuk kritikova. Këtu mund të them si zakonisht atë që mendoj. Mendoj që diçka thelbësore po ndryshon. Ajo çfarë u sugjeroj miqve të mi është që të mos e shihni ndryshimin në formën e anëtarësimit sepse kjo nuk do të vijë shpejt. Sa për anëtarësimin duhet të punojmë fort, na duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë. Nuk mund të kërkojmë diplomë pa bërë universitetin. Duhet të bëhemi të aftë e të hyjmë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share