Besimi – BERZH: Vazhdon bashkëpunimi i frytshëm me realizimin e projekteve për prosperitetin e vendit

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është një nga institucionet financiare ndërkombëtare me e rëndësishme dhe aktive në vendin tonë, e cila ka dhënë kontribut të madh në progresin dhe zhvillimin e arritur të vendit. Së bashku me BERZH-in, në periudhën e kaluar janë realizuar 175 projekte në vlerë të përgjithshme prej 2 miliardë e 554 milionë euro dhe një bashkëpunim i tillë i frytshëm do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Kjo u theksua në takimin e ministrit të Financave Fatmir Besimi me drejtorin e BERZH-it për Ballkanin Perëndimor, Mateo Kolangeli dhe shefin e ri të Zyrës së BERZH-it në vendin tonë, Fatih Turkmenoglu.

Në këtë takim, ministri Besimi i ka uruar drejtorit Turkmenoglu marrjen e detyrës së re dhe i ka uruar suksese, progres dhe bashkëpunim të frytshëm në të ardhmen në realizimin e shumë projekteve, që nënkuptojnë zhvillimin dhe prosperitetin e vendit tonë.

“Besoj se bashkëpunimi tashmë i krijuar me BERZH-in do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, duke përgatitur dhe realizuar projektet prioritare që ndikojnë në mënyrë pozitive mbi ekonominë tonë dhe kushtet e jetesës së qytetarëve. Ky është qëllimi i përbashkët dhe pres përkrahje të madhe në realizimin e prioriteteve të caktuara” theksoi ministri Besimi.

Në këtë takim u diskutua edhe për projektet që aktualisht po realizohen me përkrahjen e BERZH-it në sektorin energjetik dhe atë infrastrukturor, për ecurinë e tyre të mëtejshme dhe përkrahjen e pritshme në pjesën e tranzicionit energjetik nga thëgjilli në energjinë e pastër, me ç’rast për të janë në dispozicion 85 milionë dollarë amerikanë përmes Fondit të investimeve klimatike me qëllim të përshpejtimit të tranzicionit energjetik dhe ballafaqimit me sfidat gjatë realizimit të këtij procesi.

BERZH-i do të jetë institucioni kryesor financiar ndërkombëtar në vendin tonë, me ndihmën e të cilit do të realizohet ky proces.

Po ashtu, gjatë takimit u theksua se Republika e Maqedonisë së Veriut tashmë po ndërmerr aktivitete në lidhje me zgjerimin e punës së BERZH-it në Afrikën Subsahariane dhe Irak, të iniciuar në Takimin vjetor të vitit 2023 në Samarkand.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share