Berisha: Përpara me Ramën do të thotë drejt shkatërrimit dhe asgjësimit të familjes. Në 14 Maj votojmë ndryshimin

Kryedemokrati Sali Berisha ka prezantuar pasditen e sotme kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Gramsh, Hasim Çekrezi.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka deklaruar se “përpara me Edi Ramën do të thotë drejt shkatërrimit dhe asgjësimit të familjes dhe gjinisë njerëzore” teksa ka bërë thirrje që në 14 Maj të votohen kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” të cilët i konsideron “ndryshimi”.

Sali Berisha: Në shekuj e mijëvjeçarë ne na ka mbajtur familja. Pa diskutim, ajo ka qenë streha, votra e cila ka garantuar jetesën dhe mbijetesën tonë. Çfarë duan të bëjnë këta. Këta duan të shembin familjen dhe gjininë. Po, po. Këta po fusin në shkolla dhe kopshte, e kanë filluar në Tiranë gjerësisht, prindi 1 dhe prindi 2. Këta fillojnë dhe i pyesin fëmijët nëpër kopshte, çfarë gjinie preferon. Këta ecin me një platformë të degradimit të familjes shqiptare. Të degradimit të plotë të shoqërisë shqiptare. A ka normë morale që e pranon këtë në Shqipëri. E pranon, e pranojnë ata. Pse e bëjnë këtë ata? Ata e bëjnë këtë sepse duke deporsenalizuar, se natyrisht nëna ka shenjtërinë e saj, babai ka autoritetin e tij, natyrisht gjinia është ndarë që nga Eva dhe Adami, etj., me radhë. Por duke i fshirë këta, krijojnë njeriun e papersonalitet. Njeriun që nuk di se kush është. A mund të vazhdojmë ne kështu, a duhet të ndalojmë ne këtë agresion të tmerrshëm që bëhet ndaj familjes dhe vlerave të saj. Përpara me Edi Ramën do të thotë drejt shkatërrimit dhe asgjësimit të familjes dhe gjinisë njerëzore. Ndaj dhe në 14 Maj, votojmë ndryshimin, ndryshimi është në duart tuaja dhe ne jemi të sigurtë se së bashku fitojmë.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Berisha është shprehur se sipas tij, Kryeministri Rama ka marrë lopatën se gjoja po mbjellin pemë teksa i ka akuzuar duke pretenduar se duan të fshehin vjedhjen me 1 milionë pemët në Tiranë.

Sali Berisha: Çfarë po ndodh tani? E keni vënë re ju, ka kapur lopatën tani dhe kalojnë nga rrethi në rreth me lopatë në dorë se gjoja po mbjellin pemë. Prisni, me dheun e asaj lopate ai në radhë të parë do të ju hedhë hi syve qytetarëve, se nuk është i zoti të ballafaqohet në asnjë rast me asnjë kandidat tonë në asnjë bashki. Sille atë, sille këtu. Të ju pyes një gjë. A duhet që të përballemi në televizor njëri me tjetrin dhe të ua themi të vërtetat njëri-tjetrit para jush. Këta se pranojnë, nuk ka kandidat të tyre. Këta janë si hije, nuk dalin në asnjë ekran televiziv. Dhe pastaj merr lopatën dhe mendon se do të ju mashtrojë me lopatën. Merr lopatën dhe do të mbjellë gjithsej, 3600 pemë.

Po ku e kanë hallin, e kanë hallin tek pylli 1 milion, që bashkë me Erion Veliajn pretendojnë se kanë mbjellë 1 mln pemë në Tiranë. Por të ju them të vërtetën. Kur bëra llogaritë dhe e shihja se ishte e turpshme, një mashtrim banal i papërgjegjshëm, ato 1 milion pemë, duan të paktën 6-9 mijë hektarë. Kurse parku i liqenit ka 32 mijë pemë. Vetëkuptohet se në 1 milionë pemë kanë vjedhur paratë për 990 mijë fidanë. Po si kanë vjedhur, kanë vjedhur me një pishtë, 10 fishin e çmimit. Kanë blerë pishën 5600 euro. Po, me fatura. Atëherë ky meqë ka dalë gjithë ky skandal, merr lopatën dhe kujton se po mashtron.

Ndaj dhe ne duhet të ballafaqojmë gjërat, duhet të ballafaqojmë të vërtetat. Me datën 14 maj, ju sigurosht që do të votoni 1-shin, koalicionin, do të votoni 1-shin, Hasim Çekrezin. Por të jeni të sigurtë se keni votuar në një votim historik. Keni votuar për fatin e Shqipërisë, për fatin e familjes shqiptare. Keni votuar për fatin e qytetarëve të Gramshit dhe Shqipërisë./tvklan.al

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share