Kryedemokrati Sali Berisha ka prezantuar pasditen e sotme kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Bashkinë e Devollit, Elvis Hajdërllin.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Berisha është shprehur se me kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” shkon kudo ballëhapur para qytetarëve pasi sipas tij, ata kanë për rivalë “kandidatë të bodrumit të Ramës”.
Sali Berisha: Është një nder i veçantë, kënaqësi e jashtëzakonshme të paraqes sot para jush, një bir tuajin, një djalë që e do shumë Devollin, i cili në 32 vite është kandidati i parë që del, vjen në këtë shesh si kandidat i votës tuaj, i vullnetit tuaj, i dinjitetit tuaj dhe jo kandidat i kryetarit, kandidat i kryesisë. Qytetare dhe qytetarë. Kjo përbën një ndryshim shumë të madh, sepse ne me këtë proces, vendosëm ju në piedestalin që meritoni, vendosëm vullnetin tuaj, vendosëm dinjitetin tuaj dhe ju garantoj se ky proces do njohë vetëm zhvillime dhe forcime të mëtejshme. Sot kudo që shkojmë, shkojmë ballëhapur para qytetarë, të cilët kanë për rival kandidatë të bodrumit të Edi Ramës. Po vija nga Maliqi, kishte 20 vite ai, në mënyrë absolute asnjë socialist i Maliqit nuk ishte pyetur për kandidaturën e tij dhe si shpërblim u kishte premtuar qytetarëve trenin elektrik tek pylli i fazanëve. Se kur humbet lidhjen me njeriun, humbet lidhjen me qytetarin, kur humbet respektin për ta, atëherë i lejon vetes të thuash çdo gjë, të bësh çdo gjë dhe të mos pyesësh për asgjë për ta. Të njëjtën gjë është kreu i bashkisë së Tiranës. U thotë qytetarëve të Tiranës se, tani sapo mbolla pemën e 1 miliontë, sapo vodha çmimin e pemës së njëmiliontë. Se 1 milionë janë nja tre radhë shko e hajde në Tiranë nja 3 herë, apo janë një pyllë 9 mijë hektarësh. E thashë këtë se çfarë specie janë këta rilindasit e Edi Ramës. E vutë re, filluan lojën me dritat. Do ti them Edvin mos luaj me dritat më, sepse tani ka një dritë tjetër, dritën e fitores që po ndriçon çdo rrugë, çdo shesh, çdo zemër, çdo mendje të shqiptarëve. Shiko Devollin, po dridhesh atje ku je.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha ka hedhur akuza ndaj Kryeministrit Rama për të cilin ka thënë se i jep tendera njerëzve të afërt të familjes së tij.
Sali Berisha: Vjedhin vetë, të pasohen vetë. Nuk kanë gjë tjetër, marrin 2-3 rroga, kunatit i jep rrogën më të madhe. Po Edi Rama çfarë bën thoni ju? Edi Rama i jep baxhanakut jo 10-20-30, por 80 dhe 100 tendera. Dhjetëra qindra milionë euro. I jep thjeshtrës dhjetëra e dhjetëra tendera. Ky përmendi shkatërrimin e klubit nga kunati. Po Olsi mos e zbardhi klubin Partizani. Jo mor jo, këta mendojnë vetëm për veten. Këta janë një rracë, një sekt që si shushunja po vjedhin pasuritë tuaja.
Për akuzat që hodhi ndaj tij, kryedemokrati Berisha i ka kërkuar kryeministrit Rama që të ketë një ballafaqim me të.
Sali Berisha: Hajde në ballafaqim Edvin të tregoj pak vjedhjet që po bën dhe çfarë po bën me Portin e Durrësit. Nuk vjen, por me lopatë, hap gropa. S’po bën gjë tjetër veçse gropën tënde politike dhe më 14 Maj do të marrësh faturën që meriton./tvklan.al