Real Madrid fitoi me përmbysje në ndeshjen e javës së dytë në LaLiga teksa mposhti në transfertë me shifrat 1-3, Almerian. Sfida nuk ishte aspak e lehtë për të besuarit e trajnerit Carlo Ancelotti të cilët e panë veten në disavantazh.
Megjithatë, ishin dy gola të Jude Bellingham (nga një për pjesë) dhe më pas një i Vinicius që i mjaftuan “Los Blancos” për tre pikët e radhës.
Pas sfidës, talenti britanik u shpreh se lojtarët e Realit e kishin bindjen se do ta përmbysnin ndeshjen dhe në asnjë moment nuk i kapi paniku. Bellingham shtoi se tashmë është një lojtar dhjetë herë më i mirë nga sa ishte te Borussia Dortmund pasi ka mësuar shumë të reja prej kohës kur u transferua te kryeqytetasit spanjoll.
“Lufta në fushë, përmbysjet, janë të vështira për shumë skuadra. Por, jo për Real Madrid. Pavarësisht se pësuam të parët, vijuam me lojën tonë. Pashë shokët në fushë dhe askush nga ata nuk ishte në panik, në fund morëm rezultatin që donim.
Përmbysjet e Realit i kam parë shpeshherë nga televizioni, tani e kuptoj shumë mirë se si vijnë ato. Në fushë ka një qetësi olimpike, unë nuk e mendoj fare humbjen me fanellën e Realit. Këtu besimi është pjesë e ADN-së.
A jam përmirësuar te Reali? Jam dhjetë herë më i mirë nga sa isha te Borussia Dortmund. Kam mësuar shumë nga shokët e skuadrës, ka një nivel mjaft të lartë. Unë jam si një “sfungjer” që mundohem të marrë çdo gjë nga shokët e skuadrës”, u shpreh Bellingham.
Kujtojmë se Real Madrid e transferoi mesfushorin për shifrën e 103 milionë eurove, megjithatë në dy ndeshjet e para 20-vjeçari ia ka shpërblyer besimin drejtuesve duke shënuar tre gola si dhe duke dhuruar një asist.