Peter Stano, zëdhënësi i shefit të diplomacisë europiane, Josep Borrell, ka bërë të ditur në konferencën e mesditës së Komisionit Europian, se Bashkimi Europian kërkon bashkëpunim të plotë dhe pa kushte nga Serbia për hetimin mbi sulmin terrorrist në Banjskë. Burime zyrtare janë shprehur për Klan Maqedoninë, se përfundimi i këtij hetimi është kyç edhe lidhur me masa kufizuese të mundshme që Bashkimi Europian mund të marrë ndaj Serbisë, ashtu siç ka marrë paraprakisht ndaj Kosovës. Ky qëndrim është përforcuar edhe nga zëdhënësi Peter Stano ditën e sotme, i cili ka rikujtuar pikërisht, se do të ketë pasoja lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Sipas tij, nëse Serbia ka vullnet për të bashkëpunuar, nuk ka nevojë që të fshihet pas formaliteteve si njohja apo mosnjohja e Kosovës si shtet për të bashkëpunuar në hetimin mbi këtë sulmin terrorrist.
“Ka mënyra të mjaftueshme se si mund të ndahet informacioni, se si bashkëpunohet apo të kontribuohet në hetim të plotë, pasi ajo që ka ndodhur më 24 shtator është shumë serioze. Duhet të qartësohet plotësisht sepse do të ketë pasoja. Qëndrimi i BE-së është, se ne presim bashkëpunim të plotë dhe pa kushte nga Serbia dhe secila palë që mund të kontribuojë për përfundimin e shpejtë të hetimit, në mënyrë që të kemi tablonë e qartë se çfarë ka ndodhur, pse ka ndodhur, kush ka marrë pjesë dhe kush e ka orkestruar. Në bazë të kësaj, BE-ja do të vendosë cilat do të jenë hapat e radhës ndaj Serbisë, ndaj Kosovës, për dialogun dhe rajonin”, ka deklaruar Peter Stano./KlanMacedonia