BE-ja: Momenti i duhur për mbajtjen e samitit BE-Ballkan në rajon

Një ditë para samitit BE-Ballkan Perëndimor në Tiranë, burime zyrtare të Bashkimit Europian janë ndalur mbi boshtet kryesore në të cilat do të mbështet samiti dhe pritshmëritë nga samiti. Së pari, në aspektin simbolik, për Bashkimin Europian ishte momenti i duhur për mbajtjen për herë të parë të një samiti BE-Ballkan Perëndimor në rajonin e Ballkanit. Kjo erdhi në vijim të frymës pozitive që krijoi mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare BE- Shqipëri dhe BE-Maqedoni e Veriut në 19 korrik 2022. “Kjo është arsyeja pse ne po mbajmë për herë të parë një event të tillë në rajon. Kishte një propozim nga kryeministri Rama që ky samit të mbahej në Tiranë dhe kjo u prit shumë mirë nga Bashkimi Europian” janë shprehur burimet zyrtare të BE-së. Sipas tyre, kjo duhet parë edhe në frymën në të cilën po vijohet me konceptin e Komunitetit Politik Europian. “Ne po shohim gjithashtu mundësinë e përfshirjes së vendeve të rajonit në takimin e dytë të Komunitetit Politik Europian. Dhe ndoshta ky takim i dytë do të mbahet në Moldavi” janë shprehur burimet e BE-së

Konteksti i ri gjeopolitik i imponuar nga agresioni/lufta e Rusisë në Ukrainë e ka bërë Bashkimin Europian më të vetëdijshëm se kurrë, se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është një prioritet. Kjo është dhe arsyeja pse në deklaratën finale të samitit që do zhvillohet nesër në Tiranë, në aspektin politik pritet të bëhet thirrje për përshpejtimin e negociatave të anëtarësimit me vendet e rajonit, në aspektin e sigurisë do bëhet thirrje Serbisë t’i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë dhe në aspektin ekonomik, do të forcohet tregu i brendshëm rajonal në disa dimensione.

Mesazhet ndaj Serbisë : Duhet prezencë në nivelin e lartë dhe rreshtim me sanksionet e BE-së:

Në kontekstin gjeopolitik të agresionit të Rusisë në Ukrainë, mesazhi kryesor i Bashkimit Europian ka të bëjë me aspektin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Bashkimi Europian është i mobilizuar për të mos lejuar asnjë përshkallëzim apo tension në rajon si rrjedhim i agresionit të Rusisë në Ukrainë. Kjo është arsyeja kryesore pse ka një angazhim të shtuar të kësaj organizate për një marrëveshje sa më të shpejtë gjithpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme midis Kosovës dhe Serbisë. Momenti më volitshëm për Bashkimin Europian për arritjen e një marrëveshjee të tillë është marsi 2023, edhe pse zyrtarisht nuk artikulohet data, me ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë europiane, Josep Borrell dhe mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe SHBA-ve. I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndodhet sot në Beograd dhe do të vizitojë dhe Prishtinën.

Mesazhi i përçuar nga burimet zyrtare të BE-së lidhur me deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç për mospjesëmarrje në samitin BE-Ballkan Perëndimor, është një tërheqje veshi. Së pari, burimet zyrtare të BE-së, shprehen se do të ishte mirë që Serbia të përfaqësohej me nivelin më të lartë në këtë samit dhe të rreshtohet pa humbur kohë me sanksionet e BE-së kundër Rusisë. “Kur shihni deklaratën që është aprovuar, do shihni gjuhën lidhur me rëndësinë e përafrimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe në mënyrë të veçantë domosdoshmërinë e rreshtimit me sanksionet e Bashkimit Europian. Eshtë e rëndësishme që të theksohet, se një numër i madh i partnerëve të Ballkanit Perëndimor janë duke treguar në bazë të përditshme rreshtimin e tyre për këtë. Mendojmë, se teksti do të bëjë thirrje për këtë dhe të inkurarojë ata që nuk po e bëjnë këtë gjë për t’ju bashkuar kësaj shpejt” janë shprehur burimet zyrtare të BE-së.

Përgatiti: Erisa Zykaj – tv klan, Bruksel

Lexo gjithashtu
Total
0
Share