Përfaqësuesit e degës së BDI-së në Tetovë kanë vendosur disa thasë me mbeturina para Komunës, duke akuzuar udhëheqësit e saj se e ka humbur kontaktin me realitetin. Nga BDI Tetovë thonë se fokusi i klanit të mafisë urbane që udhëheq me Komunën e Tetovës është tek tenderët milionësh dhe ndërtesat, e jo tek qytetarët.
“Deponitë që janë krijuar në çdo lagje, përbëjnë kërcënim serioz për jetën e qytetarëve. Mbetjet që kanë filluar të kundërmojnë, janë sinjal se në këto deponi që janë krijuar në çdo lagje të Tetovës ka bakterie dhe mikro-organizma shumë të rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve, e sidomos të fëmijëve tanë. U bëjmë thirrje, që sa më shpejtë që të jetë e mundur, të mblidhen mbeturinat dhe të gjendet zgjidhje për situatën emergjente në të cilën është katandisur qyteti. Në të kundërtën, le të japin dorëheqje si pasojë e paaftësisë së tyre për të mbajtur higjienën e qytetit. Premtuat se Tetovën do e bëni Dubai, në fakt Tetovën e bëtë RUSINO!”, thonë përfaqësuesit e degës së BDI-së në Tetovë./KlanMacedonia