“Bashkë Fitojmë”, PD-PL-PDK-PBDNJ prezantojnë koalicionin për zgjedhjet e 14 Majit

Opozita ka dorëzuar mbrëmjen e kësaj të mërkure në KQZ kërkesën për koalicionin në zgjedhjet e 14 Majit. Koalicioni do të mbajë emrin “Bashkë Fitojmë” dhe pjesë e saj janë Partia Demokratike, Partia e Lirisë, Partia Demokristiane dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.

Mësohet se drejtuese politike e koalicionit është Partia Demokratike, ndërsa partia udhëheqëse e koalicionit është Partia e Lirisë. Në dokumentin e dorëzuar në KQZ është vendosur edhe sigla e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Sigla e koalicionit

 

Kërkesën për regjistrim e dërgoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari. Ai u shpreh për gazetarët se ky koalicion bashkon të gjithë qytetarët.

Pyetje: “Bashkë Fitojmë”, çfarë do të fitojë PL me PD të rithemelimit ditën e sotme, aleanca u zyrtarizua me këto parti.

Endri Braimllari: E para kemi depozituar sipas afatit ligjor koalicionin “Bashkë Fitojmë”. Është koalicioni fitues në zgjedhjet vendore të 14 Majit. Koalicioni që bashkon të gjithë qytetarët dhe kam bindjen maksimale që ky koalicion, “Bashkë Fitojmë” është koalicioni i qytetarëve është për qytetarët dhe do të jetë tmerri i vërtetë i rilindjes më 14 Maj.

Përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Ledio Nuraj, tha se kjo kërkesë do të pranohet nga KQZ pasi PD është partia më e madhe opozitare.

Pyetje: Ditën e sotme, në këtë marrëveshje koalicioni është edhe Partia Demokratike e Shqipërisë si pjesë përbërëse e koalicionit. Mendoni se KQZ do ta pranojë edhe PD pjesë të këtij koalicioni, apo do rrëzohet si më 6 Mars?

Ledio Nuraj: Jemi në bindjen e plotë që PD do të pranohet nga KQZ si pjesë e këtij koalicioni, pasi PD është partia më e madhe opozitare, është ajo parti që përfaqëson zgjedhësit opozitar të Republikës së Shqipërisë, është ajo parti që paraqet alternativa ndryshe, bashkë me koalicionin që përfaqëson ajo, me bazë të gjerë. Dhe PD do regjistrohet pasi mbështet dhe ka nxjerrë përfaqësuesit e të gjithë elektoratit të saj me votë të lirë nga Primaret të cilët janë kandidatët që do të garojnë për zgjedhjet për kryetar bashkish.

Endri Braimllari: Është koalicioni fitores dhe është koalicioni më i gjerë që keni parë ndonjëherë.

Në marrëveshjen për koalicion mes partive është autorizuar kreu i PL-së, Ilir Meta, ose i autorizuari prej tij, që të paraqesë në KQZ kandidatët për kryetarë bashkie, listat e kandidatëve për këshillat bashkiakë si dhe çdo dokumentacion tjetër të nevojshëm për regjistrimin e koalicionit.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share