Zëvendëspresidenti i Barcelonës, Rafa Yuste thotë se janë në kontakt me Lionel Messin për një rikthim të mundshëm të tij në “Camp Nou” këtë verë.
E ardhmja e Messit mbetet subjekt i spekulimeve të vazhdueshme, me argjentinasin që i skadon kontrata në fund të sezonit dhe deri më tani është duke hezituar të nënshkruajë një marrëveshje të re me parisienët.
Ka zëra se Barça do të përpiqet të sjellë Messin në shtëpi në fund të sezonit, dhe Yuste thotë se do të dëshironte që fituesi i Kupës së Botës të kthehej në “Camp Nou”.
“Messi e di se sa shumë e vlerësojmë. Do të doja që ai të kthehej. Ne kemi kontakte me të,” u tha ai gazetarëve në një konferencë për shtyp.
“Shpresojmë të gjejmë kushtet e duhura për të vazhduar historinë e tij këtu. Historitë e bukura të jetës duhet të përfundojnë të lumtura”.
Ende nuk është e qartë se si Barcelona do të jetë në gjendje të përballojë një marrëveshje për Messin, megjithëse kjo nuk i ka ndaluar thashethemet të flasin rregullisht për të.
Mundo Deportivo po raporton të premten se Barça tashmë po bën plane për sezonin e ardhshëm ku përfshihet edhe Messi.
Xavi mesa duket dëshiron të përdorë argjentinasin në mesfushë si playmaker dhe duket se optimizmi po rritet brenda Barcelonës që Messi të jetë pjesë e skuadrës sezonin e ardhshëm.