ASH kërkon që me hapjen e Kushtetutës të hiqet përkufizimi ”20%”

TARAVARI: KA ARDHUR MOMENTI, PARTITË KANË RASTIN TË BËJNË HISTORINË

Aleanca për Shqiptarët kërkon që me hapjen e Kushtetutës për përfshirjen e bullgarëve në të, të hiqet edhe përkufizimi “20%” që i referohet gjuhës shqipe. Kryetari i kësaj partie, Arben Taravari, nëpërmjet një shkrimi në profilin e tij në Facebook, ka propozuar që heqja e “20%” nga Kushtetuta dhe në vend të saj të qëndrojë prerazi “gjuha shqipe”, të ndodhë tani.

“Aleanca për Shqiptarët është e lumtur që tashmë erdhi momenti kur partitë politike në Maqedoni do të mund të shprehin pajtimin e tyre që gjuha shqipe të emërtohet si e tillë dhe mos të quhet më gabimisht “20%“. Propozojmë që ky ndryshim të ndodhë tani dhe jemi të bindur, jo vetëm në pajtimin e partive shqiptare, por edhe me dakordësinë e të gjitha partive në Maqedoni. Të gjitha partitë që do të marrin pjesë në këtë ndryshim do të shkruhen në histori si parti demokratike, e veçanërisht evropiane. Sidomos z. Kovaçeski dhe z. Mickovski do të bëhen pjesë e këtij momenti të rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët që jetojnë në këtë vend, por edhe për të ardhmen evropiane të shtetit tonë të përbashkët” – tha Arben Taravari.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Edhe ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ditë më parë paralajmëroi se së shpejti pritet të formohet grupi i punës për ndryshimet kushtetuese, ndërsa aty, siç theksoi Lloga, mund të punohet jo vetëm me preambulën por edhe me çështje tjera.

Heqjen e përkufizimin 20% e kërkon edhe opozita shqiptare. Deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zeneli ka ftuar ministrin Lloga që me inicimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, duhet të hiqet formulimi 20% për përdorimin e gjuhës shqipe. Ai tha se, Lëvizja Besa mbetet besnik qëndrimit të theksuar më herët se do të përkrah ndryshime kushteuese vetëm nëse do të përkrahet iniciativa për ndryshimin e amendamentit V të kushtetutës ku formulimi 20% hiqet dhe do të emërtohet si gjuhë shqipe.

Ndërkohë, BDI është shprehur kundër, duke thënë se tani nuk është momenti që kjo të ndodhë. Kujtojmë se, ndryshimet kushtetuese të cilat parashohin përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, janë të domosdoshme për hapjen e kapitullit të parë të negociatave për anëtarësimin e vendit në BE. Kjo duhet të ndodhë deri në nëntor. Momentalisht, shumica parlamentare nuk i ka numrat e nevojshme për miratimin e këtyre ndryshimeve. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buçi

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share