Një 31 vjeçar nga Shkupi është arrestuar sot nga policia në zonën e Gazi Babës. Ai dyshohet si bashkëpunëtor në vrasjen e 6 marsit në Shisha Bar në Çarshinë e Vjetër në Shkup, përcjell KlanM.
“Sot (08.08.2023) në Shkup, në zonën e Gazi Babës, zyrtarë policorë nga SPB Shkup kanë bastisur një shtëpi dhe kanë ndaluar G.M (31) nga Shkupi, i cili kërkohej me urdhër nga prokuroria kompetente për vrasjen në kafenenë ‘Album Shisha’ në Shkup më 06.03.2023”, thonë nga MPB.
Ndërkaq, siç përcjell KlanM, ndaj 31 vjeçarit është hapur edhe procedurë hetimore me urdhër të Prokurorisë Publike.
Hetime për ndihmë në vrasjen e para disa muajve në rrugën “Samoilova” në Shkup, ka shpallur sot Prokuroria Publike ndaj një 31 vjeçari nga Shkupi, përcjell KlanM.
“Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetuese kundër personit për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale – Vrasje nga neni 123 paragrafi 2 pika 3 në lidhje me paragrafin 1 dhe në lidhje me Nenin 24 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e PTHP-së.
I dyshuari, 31-vjeçar nga Shkupi, siç thonë nga Prokuroria, më 18 shkurt në Kosovë, me dashje ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale. Siç përcjell KlanM, i dyshuari me veprimet e tij ka vënë në dispozicion mjete për kryerjen e veprës penale, përkatësisht ka marrë pjesë në blerjen dhe shitjen e veturës e cila më vonë më 6 mars është përdorur për kryerjen e veprës penale të vrasjes në një bar kafe në rrugën “Samoilova” në Shkup,
Prokurori publik sot pasdite në Gjykatën Themelore Penale Shkup ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, sepse ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik për arratisje./KlanMacedonia