Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi këtë të premte që të rikthejë në Shkallën e Parë vendimin e dhënë nga gjykatësi Agron Zhukri dhe për të pranuar palën e Alibeajt, si palë në gjykim për vulën dhe logon e Partisë Demokratike.
Në një reagim pas vendimit, Sali Berisha tha se vendimi është përgatitur në zyrën e Kryeministrit Edi Rama.
Gazetarja Glidona Daci, e cila prej orën 11:00 të ditës së sotme ka ndjekur procesin nga afër tha se “vendimi i Gjykatës së Apelit nuk është se dha të drejtën për legjitimimin e Enkelejd Alibeajt në këtë proces, por Apeli tha se do të duhet që kjo çështje të rikthehet edhe njëherë për rigjykim në Shkallë të Parë ku do të duhet të shprehet kjo gjykatë, duke qenë se tashmë vendimi i dhënë nga gjyqtari Agron Zhukri është shpallur nul”.
Çfarë do të thotë vendimi i marrë këtë të premte?
Vula dhe logoja do të vazhdojnë t’i mbeten grupit të Enkelejd Alibeajt, deri në një moment të dytë, ku gjykata do të duhet të mblidhet edhe njëherë në Shkallë të Parë për ta gjykuar këtë çështje nga fillimi.
Palët tashmë do të duhet të nisin një betejë sërish nga e para, në Gjykatën e Shkallës së Parë.
Çfarë thoshte vendimi i gjykatësit Agron Zhukri
Gjykata e Tiranës me anë të vendimit të gjykatësit Agron Zhukri, e konsideroi të gjithë procedurën e ndjekur për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike nga anëtarët e saj në 11 Dhjetor 2021, si të rregullt dhe bazuar në statutin e kësaj force politike.
Në vendimin e tij më 25 Mars të këtij viti, gjykatësi përcaktoi detyrimin që të gjitha ndryshimet statutore dhe ato për riorganizimin e strukturave partiake deri në zgjedhjen e organeve të reja drejtuese të reflektohen në regjistrin e partive politike.
Kuvendi Kombëtar i 11 Dhjetorit vendosi ndër të tjera shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike dhe drejtimin e përkohësisht të saj nga Komisioni i Rithemelimit, deri në zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese të forcës politike.
Ky vendim i Zhukrit u dërgua në Gjykatën e Apelit nga grupimi i Enkelejd Alibeaj.
Reagimet pas dhënies së vendimit
Vendimi i Apelit, Alibeaj: Të jemi më të bashkuar përballë Ramës, të lëmë mënjanë mosmarrëveshjet
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit për Partinë Demokratike reagoi edhe Enkelejd Alibeaj. Ai u shpreh se vendimi i sotëm vjen si një ogur i mirë për demokratët. Sipas tij, kjo është dita kur të gjithë demokratët duhet të jenë më të bashkuar se kurrë për t’u përballur me kryeministrin Edi Rama dhe për të lënë mënjanë grindjet dhe mosmarrëveshjet.
“Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit vjen si një ogur i mirë për demokratët, që prej më shumë se 1 viti po kalojnë një periudhë të vështirë. Kjo është dita kur të gjithë ne, demokratët duhet të jemi më të bashkuar se kurrë për tu përballur me regjimin e Edi Ramës dhe të lëmë mënjanë grindjet dhe mosmarrëveshjet mes nesh të shkaktuara nga mentaliteti i vjetëruar i politikës shqiptare”, tha Alibeaj.
Në reagimin e tij, ai fton të gjithë demokratët që të lënë mënjanë pakënaqësitë dhe të jenë së bashku në përballjen për zgjedhjet vendore më 14 Maj.
“Ftojmë të gjithë demokratët që të lenë mënjanë pakënaqësitë dhe të jemi bashkë në përballjen e 14 Majit. Me kandidatët më të mirë që nuk vendosin interesin personal të askujt mbi interesin e demokratëve. Nuk është ditë triumfi për askënd. Është ditë reflektimi i thellë, për ato që kemi kaluar dhe për te përballuar të ardhmen, që nuk është e thjeshtë, por as e pamundur. Për t’u dhënë shqiptarëve ditë më të mira”, tha Alibeaj.
Berisha pas vendimit të Apelit: Gjykatësit lexuan vendimin e shkruar në zyrën e Ramës
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli në një deklaratë për shtyp nga selia blu pas vendimit të Gjykatës së Apelit që ktheu për rigjykim çështjen për vulën dhe logon e PD.
Ai u shpreh se vendimi ishte i paralajmëruar dhe i përgatitur kohë më parë në zyrën e Kryeministrit Edi Rama. Kryedemokrati theksoi se ky vendim ka për synim të likujdimin e opozitës dhe pluralizmit politik në Shqipëri.
“Mirëmbrëma! Të dashur demokrate dhe demokratë, mbështetës të PD-së, qytetarë shqiptarë. Sot, në darkë Edi Rama komunikoi vendimin e tij me të cilin ka një synim, likuidimin e opozitës shqiptare dhe pluralizmit politik në Shqipëri, sot tre gjykatës në një proces të pashembullt kundër pluralizmit lexuan vendimin e përgatitur kohë më parë në zyrën e Ramës, të paralajmëruar kohë më parë trupit diplomatik ose ambasadorëve të caktuar, të akredituar në Tiranë.
Të paralajmëruar në Parlament. Por, sot gjithashtu jemi në një orë, në një kohë prove të vërtetë. Dhe unë kam besimin më të madh se demokratët shqiptarë janë të vendosur të mbrojnë me çdo kusht pluralizmin dhe partinë. Vazhdimi i skenarit të filluar me tradhtarin e kombit amerikan, të kaluar në një seri etapash, sot konkludoi me një vendim të pashembullt në historinë e Europës dhe të botës. Në procesin e sotëm gjyqësor dua të informoj shqiptarët se ata të cilët kishin kërkuar zyrtarisht të shpalleshin palë i thanë gjykatës se nuk kemi qenë palë në proces, por gjykatësit lexuan vendimin e shkruar në zyrën e Edi Ramës dhe anuluan 3 ditë pasi e mbajtën 9 muaj, anuluan 3 ditë para skadimit të afatit të regjistrimit në zgjedhje vetëm e vetëm se ishte urdhëruar nga Rama“, deklaroi Berisha.
Vendimi i Apelit, Berisha: Do të marrim të gjitha vendimet e duhura për të vazhduar misionin tonë
Sali Berisha, reagoi menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Apelit që ktheu për rigjykim çështjen për vulën dhe logon e selisë blu. Ai u shpreh se PD-ja është sot një parti më e fuqishme dhe paralajmëroi se së shpejti do të mblidhen të gjitha forumet e saj. Mbi bazën e vendimit të sotëm, të cilin Berisha e konsideron si armiqësor dhe asgjesues nga qeveria, shtoi se do të merren të gjitha vendimet e duhura për të vazhduar misionin opozitar edhe më fuqishëm.
“PD është sot një parti më e fuqishme se kurrë. Ajo do mbledhë këto ditë forumet e saj dhe mbi bazën e këtij qëndrimi armiqësor, asgjesues të shpallur nga narkoshteti dhe Edi Rama do të marrë të gjitha vendimet e duhura për të vazhduar misionin e saj në mënyrën më të fuqishme”, tha Berisha.
Berisha u shpreh besimplotë se demokratët do të kapërcejnë çdo pengesë dhe vështirësi. Akuza pati për kryeministrin Rama ku tha se vendimi është shkruar në zyrën e tij.
“Ata (gjykatësit) kishin në sirtar vendimin e shkruar në zyrën e Edi Ramës për të ndëshkuar opozitën politike. Ky vendim vjen në një kohë kur opozita është e angazhuar në një revolucion demokratik, paqësor, me të cilën ajo është e betuar të përmbysë monizmin e Edi Ramës, është e betuar t’u rikthejë shqiptarëve votën e lirë. Në këtë kontekst unë u bëj thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të PD-së të ngrihen në lartësinë e misionit të tyre historik, misionit të shpëtimit të pluralizmit, të demokracisë, të shoqërisë shqiptare dhe Shqipërisë. Çdo shqiptar sot më shumë se kurrë pret nga guximi ynë, nga qëndrimi ynë, realizimin e këtij misioni. Unë kam besim të madh se siç kapërcyem në mënyrën më legjitime, më të vendosur, të gjitha kurthet, të gjitha përpjekjet, për asgjesimin tonë, ne do të kapërcejmë çdo pengesë dhe vështirësi. Opozita, është mision i lartë moral. Të mendosh të diktosh me tre gjykatës të cilët i gjen dhe urdhërojnë të lexojnë një vendim të parapërgatitur në zyrat tua mban të gjitha përgjegjësitë dhe dëshmon se je njëlloj si baba yt biologjik, njëlloj si daja yt biologji, një xhelat i normave demokratike, i lirisë dhe meriton çdo ndëshkim”, tha Berisha.
Bylykbashi: Vendim për përjashtimin e opozitës nga zgjedhjet
Ora 19:04 – Oerd Bylykbashi u shpreh se vendimi i sotëm i Sjykatës së Apelit ishte i paralajmëruar dhe i marrë nën presion. Sipas deputetit demokrat, vendimi përjashton opozitën nga zgjedhjet.
Oerd Bylykbashi: Vendim i marrë haptaz nën presionin e Edi Ramës, vendimi i paralajmëruar, presion mbi Gjykatën dhe sot në sallë, është vendim për përjashtimin e opozitës nga zgjedhjet, haptazi ka thyer çdo rregull që deri më sot ka vendosur jo vetëm legjislatori duke pranuar ankimin e një pale qe nuk përbën as minorancë, por i ka shërbyer përpjekjes së Edi Ramës që të mos ketë përballë një opozitë të vërtetë. PD ka treguar për më shumë se një vit vullnetin e qartë për të mos qenë palë me Ramën, sot Gjykata 11 Dhjetorin, atë Kuvend të jashtëzakonshëm, të gjithë vullnetin e demokratëve e përsëris, shënon një ditë të zezë për drejtësinë dhe politikën shqiptare. 32 vite pas themelimit të pluralizmit, pluralizmi u vra sot. Unë bëra komentin lidhur me vendimin, çdo hap tjetër do merret nga instancat e zgjedhura të PD-së, jo ato të Kryeministrit Rama. Do marrin vendime organet e partisë, dhe sigurisht populli opozitar ishte sot në shesh, përpjekjet tona do vazhdojnë.
Sefa: PD vazhdon të drejtohet nga organet legjitime të saj
Përfaqësuesi ligjor i grupimit Alibeaj, Indrit Sefa, tha në një prononcim për mediat pas vendimit se ankimimi i tyre u pranua dhe çështja do të kthehet në Gjykatën e Tiranës. Sipas tij, PD vazhdon të drejtohet nga organet legjitime të saj dhe do të regjistrohet të hënën në KQZ.
Indrit Sefa: Së pari dua t’ju falënderoj për prezencën tuaj dhe për këtë seancë maratonë. Sot Gjykata e Apelit vendosi rikthimin e çështjes në Shkallë të Parë, me një tjetër trupë gjykuese, praktikisht ankimi ynë i grupimit Alibeaj u pranua nga Gjykata dhe çështja do kthehet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. PD vazhdon të drejtohet nga organet legjimite të saj, do regjistrohemi të Hënën në KQZ.
Sefa u shpreh se afatin e përcakton gjykata se kur do të shqyrtohet kjo çështje në Shkallën e Parë.
Endrit Sefa: Organet legjitime do të vazhdojnë të administrojë të gjithë infrastrukturën e Partisë Demokratike. PD ka vetëm një seli. Nuk është betejë për zyra, as për vula, por për legjitimitetin.
*Ora 18:53 – Gjykata e Apelit ka vendosur që të kthejë në Shkallë të Parë vendimin e dhënë nga gjykatësi Agron Zhukri për vulën dhe logon e Partisë Demokratike.
Gazetarja Glidona Daci, e cila prej orën 11:00 të ditës së sotme ka ndjekur procesin nga afër tha se “vendimi i Gjykatës së Apelit nuk është se dha të drejtën për legjitimimin e Enkelejd Alibeajt në këtë proces, por Apeli tha se do të duhet që kjo çështje të rikthehet edhe njëherë për rigjykim në Shkallë të Parë ku do të duhet të shprehet kjo gjykatë, duke qenë se tashmë vendimin i dhënë nga gjyqtari Agron Zhukri është shpallur nul”.
Të gjitha zhvillimet në Gjykatën e Apelit prej orës 11:00
Ora 16:33 – Ka përfunduar seanca gjyqësore për vulën dhe logon e Partisë Demokratike. Gazetarja e Klan News Glidona Daci raporton se shyqrtimi gjyqësor përfundoi pas 5 orëve dhe se trupa gjykuese e Apelit është tërhequr për të marrë vendimin.
“Trupa gjykuese është tërhequr për vendim, por ende nuk kanë caktuar një orë se kur do dalin nga Dhoma e Këshillimit”, u shpreh Daci.
Mësohet se përfaqësuesi ligjor i Enkeled Alibeajt, Indrit Sefa ka kërkuar prishjen e vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri, kthim për rigjykim ose pushim të çështjes, ndërkohë pala tjetër pretendon se grupimi Alibeaj nuk janë të ligjshëm.
Ora 16:28 – Gjykata tërhiqet për vendim
-Ivi Kaso thotë se nuk duhet të legjitimohet në ankim pala dhe kërkoi rrëzimin e ankimit të cilin e konsideron të pabazuar në ligj dhe në prova.
-Indrit Sefa kërkon prishjen e vendimit të Shkallës së Parë, pushimin e gjykimit ose kthimin për gjykim në Shkallë të Parë.
Ora 16:26 – Mbyllet shqyrtimi gjyqësor i çështjes
Ora 15:35 – Caktohet pushim, seanca rifillon në orën 16:00.
-Përfaqësuesi i grupit Alibeaj, Indrit Sefa, nisi fjalën e tij në seancën në themel.
-Gjykata vendosi në Dhomë Këshillimi që të shprehet në fund për të gjitha kërkesat.
–Gjykata e Apelit tërhiqet për vendim të ndërmjetëm për t’u shprehur për kërkesën paraprake të bërë nga Ivi Kaso për moslegjitimimin e grupit Alibeaj.
-Indrit Sefa: Dua t’i bëj ca pyetje palës kërkuese. E para, pala pretendoi faktin që nuk është përdorur nga PD asnjë mjet procedurial për të ndëhyrë në gjykim. Neni 189: Kushdo mund të ndërhyjë në një proces gjyqësor kur pretendon, duke ngritur padi.
-Ivi Kaso kërkon që të mos legjitimohet grupimi i Enkelejd Alibeajt dhe të rrëzohet kërkesë-padia.
-Ivi Kaso: Enkelejd Alibeaj nuk është konfirmuar asnjëherë në detyrë. Pasi nuk është mbledhur Këshilli Kombëtar i Partisë Demokatike për ta zgjedhur atë kryetare. Alibeaj është komanduar në detyrë përmes një deklarate nga Sekretari i Përgjithshëm i cili është shkarkuar nga Kuvendi i 11 Dhjetorit.
-Ivi Kaso: Nuk duhet të ishte pranuar ankimi i deputetit Enkelejd Alibeaj duke qenë se personi që ka paraqitur ankimin nuk ishte palë në proces.
-Indrit Sefa: Ky nuk është momenti për të bërë këto kërkesa, pasi nuk jemi në këtë fazë proceduriale. Gjykata duhet t’i shqyrtojë të gjitha elementet në tërësinë e saj. Komisioni i Rithemelimit nuk ka autoritetet juridik dhe duhet të ketë prokurë të posaçme që në momentin e parë që i është drejtuar gjykatës. Edhe Shkalla e Parë ka gabuar kur është legjitimuar Ivi Kaso për të paraqitur padinë në Shkallën e Parë. Ka një konfondim, a ka legjitimitet Komisioni i Rithemelimit?
-Ivi Kaso kërkesë paraprake: Gjykata të konstatojë mospranim e ankimit, pasi gjykata është investuar nga një palë që nuk legjitimohet. Sipas nesh vendimi gjyqësor që e ka lejuar ankuesin është marrë në kundërshtim të ligjit.
-Ivi Kaso: Gjykata është investuar nga një palë jo legjitime në këtë proces.
–Ivi Kaso: Kërkoj që gjykata të mos e pranojë padinë sepse gjykata është vënë në lëvizje nga një palë që nuk është pjesë e procesit.
-Përfaqësuesit ligjorë të Enkelejd Alibeajt kërkojnë prishjen e vendimit ose kthimin e çështjes për rigjykim në Shkallë të Parë.
***
Treshja e gjyqtarëve Elona Mihalin, Irida Kacerja dhe Astrit Kalaja do të vendosë sa i përket ankimit të Partisë Demokratike ndaj vendimit të 25 Marsit 2022 të gjyqtarit të Shkallës së Parë, Agron Zhukri.
Grupi i Sali Berishës përfaqësohet nga Ivi Kaso, Oerd Bylykbashi dhe Ledina Mandia.
Grupi Enkelejd Alibeajt përfaqësohet nga Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi.
/tvklan.al