TRONDITJET NË ASH – “TËRMET” NË SKENËN POLITIKE SHQIPTARE!
Njohësit e çështjeve politike në vend vlersojnë se pavarsisht nëse Arben Taravari i ka mbledhur nënshkrimet ashtu siç thuhet, ata duhet të marrin pjesë në Kuvendin e të shtunës që është i ftuar nga kryetari i Kuvendit të ASH Ziadin Sela dhe të japin vendimin përfundimtar. Sipas Faton Alitit takimi i mbrëmshëm në Kumanov ku u paralajmërua se do të mbahet edhe kuvendi është jo serioz.
”Është jo serioze paralajmërohet si kuvend të nesërmen si takim dashamirësie? “Nëse është i bindur se e ka shumicën, shkon atë ditë, vendosen propozimet në votim, merret një vendim dhe mbaron ky muhabet. Paraqitja publike e Taravarit ishte indikative se ai dyshon se ka shumicën në organet partiake, dyshon se ka shumicën edhe në Kryesi Qendrore” – tha Faton Aliti, analist.
Edhe analisti Albert Musliu iu bëri thirrje të dyja krahëve të ASH-së që të shtunën të shkojnë në Kuvendin e ASH-së dhe të vendosin se cilën rrugë duhet ta mbajë kjo parti.
”Ajo do të vertetohet ditën e shtunë nuk është aq largë. Nëse gjithë ato 134 kuvendarë ia duan të mirën Aleancës duhet të shkojnë të shtunën, të votojnë, të vendosin sipas bindjeve të veta dhe ta mbajnë një unitet. Kjo nuk është e pamundshme” – tha Albert Musliu.
Ndërkaq, analisti politik, Ismet Ramadani duke komentuar ngjarjet e fundit brenda ASH-së theksoi se kjo parti ka qenë shumë mirë e organizuar dhe ka qenë faktor kyç për kombinatorikat koalicionuese për zgjedhjet e 8 majit. Kjo sipas tij, ka qenë edhe arsyeja e sulmeve për përçarje të kësaj partie.
“ASH e kishte çelësin, do të kisha thënë pothuajse ishte çelësi magjik për të siguruar ndonjë kombinim partiak, koalicion për të siguruar në një mënyrë fitoren për qeveri të ardhshme dhe për të mbajtur diskursin euro-atlantik. Dhe kur të jepet kjo pozitë, kuptohet se atëherë aktivizohen të gjitha format, mënyrat që ajo parti të sulmohet në forma të ndryshme që t’i ndodhë në ndarje” – tha Ismet Ramadani.
Sipas analistit Ismet Ramadani, ndërhyrja e kryeministri të Kosovës në koalicionin opozitar shqiptar ka përshpejtuar ngjarjet brenda ASH-së. Ai e quan të gabuar këtë ndërhyrje dhe e krahasoi me ndërhyrjen e Sali Berishës në përçarjene PPD-së në vitet 90. /tvklan.mk/