VMRO-DPME: Pendarovski t`i bëj publike emrat e tyre!
Presidentit Stevo Pendarovski, gjatë këtij viti, dy herë i janë dorëzuar propozime për të menduar amnistimin e disa politikanëve ose të mbështesë miratimin e ligjit për amnisti për politikanë të dikurshëm e aktual – kanë thënë nga Kabineti Presidencial. Propozimet, sipas tyre, kanë ardhur nga struktura të opozitës aktuale.
“Këto propozime, përmes ndërmjetësve, tek Presidenti Pendarovski ishin dërguar nga struktura politike dhe të sigurisë, të afërt me opozitën aktuale, si dhe nga politikanë të dikurshëm”, thonë nga kabineti i Presidentit.
VMRO-DPMNE-ja vazhdon të insistojë që Presidenti të bëjë publike emrat e atyrë që e kanë konsultuar për amnisti.
“Pendarovski të ndalojë së shfrytëzuari floskulat dhe titujt, por të del qartazi në opinion se cilët janë ata njerëz që e kanë konsultuar për amnisti. Në të kundërtën, do ta vlerësojmë si një gënjeshtar tjetër nga ana e tij. Fatkeqësisht presidenti është fikus I qeverisë dhe gënjeshtar”, tha Naum Stoilkovski, VMRO – DPMNE.
Të pyetur nëse ndajnë qëndrimin e Opozitës shqiptare se ndryshimet në Kodin Penal janë për amnistimin e Gruevskit dhe për të siguruar shumicën e domosdoshme prej 2/3 për ndryshimet kushtetuese, nga VMRO-DPMNE thonë se kanë qëndrimet e tyre, por pa përmendur Gruevskin.
“VMRO-DPMNE-ja është parti e madhe me qëndrime të qarta. Ndryshimet në Kodin Penal janë për amnistimin e qeverisë, përpjekje për të shpëtuar nga përgjegjësia, 6 vite udhëheqin vendin me krime, korrupsion dhe varfëri. Do të përgjigjen për këtë”, tha Naum Stoilkovski, VMRO – DPMNE.
Kanë reaguar edhe nga Alternativa. “Faleminderit President për konfirmimin e informacionit!” – thonë nga partia e Afrim Gashit.
“Në pyetjen tonë të parë publike se “A i ka lutur, deri në qiell, Ali Ahmeti disa nga ndërkombëtarët, gjatë një takimi në Shkup, që ta lejojnë amnistinë e Nikolla Gruevskit?!”, përgjigjen e dha Presidenti Stevo Pendarovski. Pas kësaj besoj se do të përgjigjet edhe personi të cilit iu parashtrua pyetja!”, thanë nga AAA.
Se ka ekzistuar skenari në qarqet politike, për të shpëtuar ish-Kryeministrin Nikola Gruevski, konfirmoi edhe Presidenti Pendarovski. Gjatë një prononcimi për TV 24, ai zbuloi se ka qenë I konsultuar që ta amnistojë të arratisurin Gruevski, duke siguruar se nuk do ta bënte një gjë të tillë. /KlanMacedonia/