Ambasadori i ri i Austrisë në vendin tonë Martin Pammer e vizitoi Universitetin e Tetovës

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, sot në kabinetin e tij e priti në takim ambasadorin e ri të Austrisë në vendin tonë, ekselencën e tij Martin Pammer. Në këtë takim Rektori UT-së shoqërohej nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihu, udhëheqësja e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Doc. Dr. Hatibe Dehari – Zeqiri dhe shefja e kabineti të Rektorit, Valmisa Novi.

Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli e falënderoi Ambasadorin e Austrisë për vizitën e tij në Universitetin tonë dhe e uroi atë për marrjen e detyrës Ambasador i Austrisë në Shkup. Më pas, në pika të shkurtra bëri një prezantim të rrugëtimit ndër vite të Universitetit të Tetovës, sfidat dhe vështirësitë me të cilët është ballafaquar ky institucion, si dhe sukseset e arritjet që ka shënuar gjatë funksionimit ndër vite. Ai tha se, Universiteti ynë ka një bashkëpunim të shkëlqyer me shumë institucione nga vendi përfshirë edhe përfaqësitë diplomatike të akredituara në vendin tonë, si edhe në rrafshin ndërkombëtar ka një shtrirje të mirë bashkëpunimi me shumë universitete me renome nga rajoni dhe bota.

Ambasadori i Austrisë në vendin tonë, Martin Pammer e falënderoi Rektorin Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe ekipin e tij për mikpritjen dhe e uroi për zgjedhjen e tij  Rektor i Universitetit të Tetovës. Ambasadori Martin Pammer gjithashtu e riafirmoi mbështetjen e Ambasadës së Austrisë ndaj Universitetit tonë, duke shprehur gatishmërinë e tij dhe të ekipit që përfaqëson për të bashkëpunuar në projekte të ndryshme në interes të dy institucioneve.

Universiteti i Tetovës deri më tani ka pasur bashkëpunim të shkëlqyer me Ambasadën e Austrisë. Në kuadër të këtij bashkëpunimi në ambientet e Universitetit tonë është i hapur edhe Këndi Austriak, i cili shfrytëzohet nga studentët programit studimor të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane.
PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share