Alternativa ditëve në vijim do të vendos nëse do të qëndrojë ose jo në Qeveri

MICKOSKI: KOALICIONIN E RI QEVERITAR E SHOH SI ESTRADË

Kryesia e Alternativës gjatë ditëve në vijim pritet që të sjell vendim nëse do të qëndrojë në Qeveri edhe pas hyrjes së Aleancës për Shqiptarët. Partia sot do të ketë mbledhje, megjithatë në këtë mbledhje nuk pritet që të miratohet ndonjë vendim. Zëdhënësi i kësaj partie, Orhan Murtezani tha për TV Klan M se, organet partiake do të vendosin për hapa të mëtutjeshëm, pas takimit me kryeministrin, Dimitar Kovaçevski.

“Duke e pasur parasysh se kryeministri paralajmëroi se në ditët në vazhdim do të ketë takim me AlternAtivën, në këtë moment nuk ndjehemi të thirrur për të komentuar ndonjë gjë. Vlerësojmë se në këtë moment nuk është korrekte të kemi komunikim nëpërmjet mediumeve. Të gjithë dilemat eventuale në lidhje me marrëveshjen për koalicionin e nënshkruar para 12 muajve, AlternAtivA do t’i pastrojë drejtpërdrejt me LSDM-në. Më pas do të mblidhen organet qendrore të partisë dhe do të miratojnë vendimin final për hapat tona të mëtutjeshme” – tha Orhan Murtezani.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Pas takimit të djeshëm me kryeministrin, Dimitar Kovaçevski për zgjerimin e shumicës qeveritare, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari tha se kanë sinkronizuar 90 përqind të propozimeve me Qeverinë, sa i përket aspektit programor, ndërkaq sipas tij, çështjet kadrovike nuk janë diskutuar aspak. Megjithatë, ditëve të fundit në opinion qarkullojnë zëra se, Aleanca për Shqiptarët do të ketë tre ministra, prej të cilave edhe Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Shëndetësisë. I pyetur nëse Ministria e Drejtësisë do të kalojë në menaxhim të Aleancës për Shqiptarët, ministri aktual Tupançevski tha se nuk shqetësohet për këtë çështje dhe se deri në momentin e fundit do të mundohet maksimalisht të përmirësojë sistemin e drejtësisë në vend.

“Absolutisht, unë si ministër, por edhe Ministria e Drejtësisë, nuk jemi të ngarkuar me zhvillimet e këtilla. Unë thash, deri në ditën e fundit, deri sa do të jemi në Ministrinë e Drejtësisë, do ta japim maksimumin” – deklaroi Nikola Tupançevski.

Ndërkohë, ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri i pyetur nëse do të ketë ndërrim të ministrave, u përgjigj shkurt se mediat do të njoftohen në kohë nëse do ketë ndonjë informacion.

“Unë nuk jam pjesë e ekipi të negociatave, ju si media, ashtu si edhe çdo herë tjetër, do të njoftoheni në kohë për çdo informacion pavarësisht se çfarë do të jetë ajo” – tha Jeton Shaqiri.

Nga ana tjetër, lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski duke komentuar këto zhvillime, tha se hyrja e ASH-së në Qeveri nuk do të përmirësojë standardin e jetës dhe as të bëjë reforma strukturore.

“Madje as ata vetë nuk besojnë në atë dhe për këtë, këtë koalicion të ri e shoh si estradë, në të cilën këto politikan që hyjnë në këtë koalicion qeveritar të estradës kanë vetëm një qëllim, ndërsa ajo është të kënaqin disa rreth tyre dhe disa tenderë të trukuar që të mund të vjedhin popullin” – tha Hristijan Mickoski.

Ai përsëriti se, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të domosdoshme dhe është optimist se do të realizohen ato. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buçi

https://youtu.be/-4_w7ABD7qI

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share