Prokuroria ngriti aktakuzë kundër Merkos për punë të papërgjegjshme

Prokuroria Themelore Publike në Strugë ka ngritur Aktakuzë kundër kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko për veprën penale – Punë e papërgjegjshme në shërbim, nga neni 353-c paragrafi 1 të Kodit Penal. Përkatësisht, Merko akuzohet se, ka emëruar një drejtor shkolle në mënyrë të paligjshme.

“I akuzuari, si person zyrtar – kryetar i komunës Strugë, më 31.01.2022, me vetëdije i ka shkelur rregullat ligjore për veprim me vetëdije gjatë emërimit të ushtruesit të detyrës – drejtor i shkollës fillore komunale në fshatin Labunishtë. Gjatë kësaj, ka marrë vendim dhe për ushtrues të detyrës ka emëruar një person i cili nuk ishte në radhët e të punësurave, siç është paraparë në nenin 118 nga Ligji i arsimit fillor, dhe nuk ka pasur përvojë adekuate të punës në punën edukativo-arsimore të paraparë në nenin 109 të Ligjit”, thonë nga Prokuroria Publike Strugë.

Me këtë veprim, siç shtuan nga prokuroria Merko ka dëmtuar buxhetin e shtetit për 19 muaj.

“Kështu i akuzuari ka mundësuar që personi të emërohet në funksion dhe t’i paguhet pagë si u.d. drejtor 19 muaj, me çka shkollës i ishte shkaktuar dëm në vlerë të përgjithshme të pagave dhe kontributeve të paguara pa bazë”, thonë nga Prokuroria.

Ndërkohë, në fillim të këtij muaji Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ngriti aktakuzë kundër Merkos në lidhje me furnizimin e veturës luksoze “Audi A6”. Prokuroria kishte nis hetimin për këtë lëndë para katër viteve, pasi Antikorrupsioni kishte konstatuar në vitin 2019 se, Merko kishte keqpërdorur detyrën dhe kompetencat zyrtare me furnizimin e katër veturave në vlerë prej 114 mijë euro. Ndërkaq, vetëm “Audi A6” ka pasur vlerën prej 66 mijë eurosh.

Kujtojmë se, në muajin qershor të vitit të kaluar, Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli Merkon person të padëshiruar për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion dhe ndërhyrjes në punën e gjyqësorit. Atij dhe familjes së tij, iu ndalua hyrja në SHBA./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share