Aeroplani, që për pak sa nuk u aksidentua, fluturoi pa leje mbi Kosovë

Kompania bullgare Bul Air, e cila për pak sa nuk u përplas me aeroplanin e kompanisë Trad Air më 24 shkurt të këtij viti, incident i cili ndodhi mbi hapësirën ajrore të Kosovës, nuk kishte leje fluturimi.

Burime të Kiks Kosovës brenda Ministrisë së Infrastrukturës kanë bërë të ditur se kjo kompani në fakt po e shfrytëzonte linjën ajrore të një kompanie tjetër, asaj të GP Aviation, e cila po ashtu nuk ishte pajisur me leje fluturimi nga autoritetet kosovare.

Në fakt, Kiksi ka kuptuar se jo vetëm këto kompani, por janë edhe dhjetëra kompani të tjera që operojnë në hapësirën ajrore të Kosovës pa asnjë leje fluturimi.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Ky fakt u kuptua në momentin kur nisën hetimet për incidentin e 24 shkurtit, për të cilin kishte raportuar Kiks Kosova, ku u rrezikuan jetët e 300 pasagjerëve.

Në një dokument që ka parë Kiksi, udhëheqësi i Divizionit të Politikave Zhvillimore në Aviacionin, departament ky që funksionon në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës, Nexhat Bala, kishte vënë theksin te fakti se Ministria për vite të tëra nuk kishte lëshuar leje fluturimi për asnjë kompani që vjen nga Bashkimi Evropian.

Megjithëse nga shtatori i vitit 2022, kjo përgjegjësi e Balës kishte kaluar tek Autoriteti i Aviacionit Civil, i cili rrjedhimisht kishte lëshuar leje për kompanitë që ishin të interesuara pas kësaj date.

Pavarësisht kësaj, Bala bëri të ditur se GP Aviation nuk është kompania e vetme që nuk ka leje, por tha se janë edhe dhjetëra të tjera që operojnë në të njëjtën mënyrë.

Këtë gjë, ai do ta arsyetonte në një vendim të vitit 2016, që e mban vulën e ish-ministrit Lutfi Zharku, për të lejuar Bul Air që vjen nga Bullgaria, të operonte vetëm përmes një njoftimi nga ministrat respektivë.

Neni 35 i tij, i cili flet për detyrimin rreth posedimit të certifikatës së Operatorëve Ajrorë dhe Licencës për Ushtrimin e Veprimtarisë Ajrore, qartëson se transportuesit e jashtëm ajror duhet të kenë një COA të vlefshme dhe licencën për ushtrimin e veprimtarisë, të lëshuar nga autoritetet kompetente në shtetin e tyre përkatës.

Duke potencuar se transportues mund ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre për në Kosovë, nga dhe/apo përmes Kosovës, në bazë të marrëveshjeve formale dypalëshe mbi transportin ajror, të cilat janë miratuar dhe rregullohen nga ministria ose në bazë të një vendimi me shkrim të ministrisë.

Por aty vihet theksi që vendimi i ministrisë, i përmendur në paragrafin 1 të këtij neni më sipër vlen vetëm për periudhën kohore të përcaktuar në vendim, e cila nuk mund të jetë më e gjatë se një vit.

Në rastit konkret, Bala dërgoi në autoritet një vendim të vjetër 7-vjeçar, i cili është nxjerrë në vitin 2016 nga ish-ministri Lutfi Zharku.

E përveç kësaj, mbetet e paqartë nëse këto kompani ajrore që vijnë nga Evropa e kanë respektuar legjislacionin në fuqi, në bazë të të cilit kërkohet që ato t’i pajisin institucionet me dokumentet e kërkuara e që janë një mori sosh.

E njëjta gjë ishte kërkohet edhe në njoftimin e ish-ministrit Zharku, për Bul Air të datës 4 maj të 2016.

Nëse bazohemi në letrën e Balës, aty theksohet se i vetmi dokument për këtë kompani është ky i vitit 2016. Madje ai insistonte ne atë se për kërkesat e tjera për operime te fluturimeve te rregullta dhe charter i kemi njoftuar se nuk ka nevoje për aplikime, por vetëm për njoftime.

Por më këtë nuk pajtohet Autoriteti i Aviacionit Civil, i cili që nga shtatori i vitit 2022, ia ka dhënë mandatin të menaxhojë me lejet e fluturimit.

Për KIKS-in u tha se aprovimet e fluturimeve nuk bëhen në bazë të njoftimeve, por vetëm pasi që kompanitë ajrore te dorëzojnë listën e dokumentacioneve të kërkuara dhe pasi të verifikohen se këto dokumentacione kanë vlefshmëri.

Në rastin e GP Aviation, në atë kohë as nuk kishte aplikuar e as nuk i është lëshuar ndonjë licencë për fluturimet.

Megjithatë, kjo kompani tashmë është pajisur nga Autoriteti i Aviacionit Civil me leje për operim mbi Kosovë, për sezonin e ri.

Sidoqoftë, historia e lejeve, ajo që udhëheqësi i divizionit të Aviacionit në Ministrinë e Infrastrukturës, Bala, ka treguar është fakti se të vetmet leje që ai kishte lëshuar që nga kjo kohë, janë ato kur ndonjëra nga këto kompani janë angazhuar për të bartur persona të deportuar nga Evropa për në Kosovë.

Edhe këto leje për operim, për shkak te rëndësisë së sigurisë publike dhe në bashkëpunim me MPB-në, kanë qenë leje ad-hoc, duke u specifikuar edhe numri i fluturimeve të lejuara. /Klankosova.tv

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share