Kryesia e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) bëri të ditur se Qeveria ka humbur mbështetjen e kësaj partie për shkak të, siç e gjykuan, “braktisjes së agjendës evropiane”.
Një reagim i tillë ka ardhur edhe pasi Qeveria e Malit të Zi ka miratuar të premten Marrëveshjen Themelore, e cila duhet të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.
Sipas mediave në Mal të Zi, përcjell Telegrafi, DPS ka thënë se Grupi i Deputetëve të kësaj partie është i autorizuar që gjatë javës së ardhshme të ndërmarrë veprime adekuate ligjore në Kuvend.
“Në seancën e sotme të Kryesisë së Partisë Demokratike të Socialistëve, të cilën e kryesoi kryetari i kësaj partie, Milo Gjukanoviq, është shprehur keqardhje për ndryshimin e kursit politik të Qeverisë së Malit të Zi, i cili në kundërshtim me marrëveshjen politike për formimin e saj, braktisi detyrën prioritare të përmbushjes së detyrimeve nga agjenda e integrimit evropian dhe me ngut, në mënyrë të papërgjegjshme dhe pa konsultim me publikun profesionist lidhi kontratën me KPS-në, duke i shkaktuar dëme të pallogaritshme interesave shtetërore të Malit të Zi”, citohet të jetë thënë ndër tjerash.
Dhe menjëherë ka ardhur reagimi i kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
https://twitter.com/DritanAbazovic/status/1546147629767311362
Ai ka mirëpritur vendimin e Kryesisë së Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) për të mos përkrahur Qeverinë e kryesuar prej tij.
“… Do të shohim se cili është qëndrimi i shumicës së deputetëve. Mali i Zi duhet të vazhdojë – krimi, korrupsioni dhe nacionalizmi nuk janë opsione. E ardhmja evropiane do të fitojë!”, ka shkruar Abazoviq në Twitter.