Pasi shumica e bibliotekave në qytetin verior të Irakut, Mosuli, u shkatërruan gjatë luftës kundër Shtetit Islamik, pedagogu Abdulsattar Abduljabbar krijoi një bibliotekë të lëvizshme me qëllimin për të inkurajuar leximin.
“Në Mosul, sidomos pas vitit 2017, bibliotekat publike dhe biblioteka e Universitetit të Mosulit u shkatërruan dhe u rrënuan, por për fat të keq nuk kemi një bibliotekë në qytet apo një bibliotekë që është e hapur 24 orë”.
Biblioteka e lëvizshme u hap në fillim të Nëntorit, falë donacioneve nga akademia e të rinjve Arabo-Gjermane e Shkencave Humane dhe të tjerë që ndihmuan në mbledhjen e fondeve dhe ofrimin e librave për projektin.
“Kam parë që bibliotekat në Evropë janë pjesë përbërëse e shoqërisë. Fatkeqësisht, sot kjo na mungon. Kur shkojmë në qendra por dhe zona të tjera, gjejmë kafene dhe restorante, por biblioteka nuk ka”.
Pedagogu Abduljabbar thotë se biblioteka ofron falas për vizitorët, gjithsej 1,000 libra.
Ai shpjegon pse vendosi të krijonte një biblotekë në një mjet transporti dhe jo në një ndërtesë.
“Sigurisht, unë nuk mund të krijoj një bibliotekë në madhësinë e një bibliotekë publike, kështu që ideja ishte të fillonim me një të lëvizshme. Ne blemë autobusin që ju po e shikoni dhe e shndërruam atë në një bibliotekë. Mesazhi ynë është qe ne të shkojmë te lexuesi përpara se lexuesi të vijë tek ne. Sot nuk nuk shkojmë vetëm në qendrën e qytetit të Mosulit por vizitojme edhe zona të tjera ku njerëzit nuk kanë mundësi të shkojnë në qëndrën e qytetit ose Universitetin e Mosulit për të marrë hua një libër”.
Autobusi lëviz rrugëve të Mosulit, duke parkuar për disa ditë në zona të ndryshme në të gjithë qytetin.
Nisma është mirëpritur nga banorët e qytetit të cilët tregojne se e vuajnë mungesën e librarive prej një kohë të gjatë.
“Na kanë munguar vitet e kaluara. Nuk kishte vende leximi, biblioteka apo asgjë. Tani, mund të shkosh në këtë bibliotekë të lëvizshme kudo. Kushdo që hyn në të, me siguri do të marrë një libër dhe do ta shfletojë, qoftë edhe për të lexuar titullin, pasi kjo do t’i ndihmojë për të ngjallur pasionin dhe dëshirën për librat dhe leximin”.
Pedagogu që ka ndërmarrë nismën shpjegon se nuk do të ndalet vetëm me këtë projekt pasi ka edhe disa ide për të ardhmen.
“Biblioteka do të jetë plotësisht falas. Ne kemi disa ide që shpresojmë t’i zbatojmë në të ardhmen e afërt, duke përfshirë shkëmbimin e librave, huazimin e librave, promovimin e projekteve të leximit, si dhe formimin e grupeve apo klubeve të leximit në qytet”.
Ndër synimet e radhës është që shumë libra të vijnë edhe online për lexuesin.
“Ekziston një shprehje e famshme që thotë se librat shkruhen në Kajro, shtypen në Bejrut dhe lexohen në Bagdad. Ne duam ta rikthejmë këtë brez, brezin që beson tek dija. Sot nuk ka të rinj pa telefona inteligjentë. Kështu që nëse versioni print nuk është i disponueshëm, ne mund t’i inkurajojmë ata të lexojnë në versionin online”.
Qyteti i Mosulit, i pushtuar nga Shteti Islamik në vitin 2014 dhe i çliruar në vitin 2017, ka pësuar dëme të mëdha pasi qindra shtëpi dhe ndërtesa publike duke përfshirë aeroportin, stacionin kryesor hekurudhor dhe universitetin janë shkatërruar.
Klan News