Rebrov i zhgënjyer nga disfata: Është gjithmonë e vështirë ndaj Shqipërisë

Shqipëria e ka nisur mbarë edicionin e ri të Ligës së Kombeve pasi triumfoi në udhëtim te Ukraina me rezultat 1-2.

Trajneri i Ukrainës, Sergei Rebrov nuk e ka fshehur zhgënjimin pas kësaj humbje, duke kritikuar hapur futbollistët e tij.

Legjenda ukrainase ka thënë se goli i dytë i pësuar ndaj kuqezinjve është i pafalshëm, derisa tregoi se kishin probleme në repartin ofensivë për shkak të mbrojtjes së fortë të Shqipërisë.

“Me shumë mundësi sepse ne luajtëm ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Shqipëria mbrojti kompakte dhe në mënyrë të organizuar, ishte e vështirë të gjeje hapësira”.

“Ne u munduam të pasonim në zonën e rreptësisë, por për fat të keq nuk krijuam shumë raste në pjesën e parë. Po, Yaremchuk kishte një rast. Në pjesën e dytë ne kishim shanse, shënuam gol, mund të shënonim të tjerë. Për fat të keq, në futbollin në këto nivele, nëse nuk shënon, të shënojnë kundërshtarët”.

“Shqipëria, ashtu si në Evropian, u mbrojt mirë. Megjithatë, tani pyetja nuk është rreth sulmit tonë, por rreth mbrojtjes, si mund të pësohen 2 gola në 3 kundërsulme? Nuk kishte ekuilibër në mbrojtje, e gjithë skuadra duhet të mbronte në pjesën e dytë, të mos lejonte që të krijoheshin këto momente”.

“Ne i dhamë disa këshilla. Në 15 minutat e parë të pjesë së dytë ne dominuam, krijuam raste, shënuam një gol. Por siç e thashë, futbolli nuk është vetëm sulm por edhe mbrojtje, Goli i dytë që pësuam, e pashë edhe një herë tani dhe nuk e kuptoj se si mund të mbrosh kështu në këto nivele. Ne çuam ritmin në fillimin e pjesës së dytë, shënuam një gol, por duhet të luajmë 90 minuta”, deklaroi Rebrov. /Telegrafi/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share