Arratisja e Blerim Ramadanit, Mickoski: Të veprojë prokurori i zgjedhur nga BDI – LSDM!

Arratisja e Blerim Ramadanit nga paraburgimi shtëpiak drejtë Republikës së Kosovës vazhdon të jetë temë që vë përballë përgjegjësisë partitë politike në vend.

Edhe në paraqitjen e sotme, kryeministri Hristian Mickoski tha se me këtë rast duhet të merret Prokuroria, shefi i të cilës sipas tij është zgjedhur nga pushteti i kaluar, LSDM-BDI. Thotë se është pikërisht ky prokuror që duhet të veprojë dhe të mos lë asnjë pikpyetje në opinion lidhur me ikjen e Ramadanit.

“Unë kërkova nga Prokuroria, menjëherë veprojë dhe të hetojë që në opinion të mos ketë pyetje se ishte kështu ose ishte ashtu. Jo, kemi institucion, ti institucionalizojmë gjërat, ai institucion quhet Prokurori Publike dhe Prokurori Publik është zgjedhur nga shumica BDI-LSDM, d.m.th kemi besim sepse nuk është zgjedhur nga VMRO-DPMNE-ja, unë si kryeministër I vendit, e ftoj të veprojë dhe ti pastrojë të gjitha gjërat”, tha Hristian Mickoski – Kryeministër.

Deklaroi se BDI-ja dhe LSDM-ja kanë të drejtë të frikësohen dhe kërkojnë dorëheqjen e Toshkovskit sepse me të në krye të MPB-së epilog po marrin të gjitha rastet kriminale dhe kriminelët sipas tij po vihen para përgjegjësisë.

Nga ana tjetër, opozitarja LSDM, vazhdon ta insistojë në dorëheqjen e Toshkovskit dhe sipas tyre s’bashku me të duhet të largohet edhe Naim Ramuka. LSDM-ja deklaron se Ramadani nuk është arratisur, por është liruar dhe transportuar në Kosovë nga zyrtarë të lartë të MPB-së.

“Qeveria e VMRO-DPMNE-së është kapur e gjallë në një mega skandal me keqpërdorim të kufirit shtetëror, institucioneve shtetërore dhe një sërë shkeljesh të ligjeve. Është vërtetuar se nuk bëhet fjalë për arratisjen e Blerim Ramadanit, por për lirimin dhe transferimin e tij të organizuar në Kosovës nga zyrtarë të lartë të MPB-së dhe institucioneve të tjera. PTHP-ja nuk duhet të heshtë dhe duhet të njoftojë urgjentisht se ka nisur një hetim. Ministri Toshkovski të japë dorëheqjen dhe të shkarkojë të gjithë ata që i ka emëruar në kufirin me Kosovën, duke filluar nga Naim Ramuka. Vetëm atëherë do të ketë kushte për një hetim të pavarur pa presion”, thonë nga LSDM-ja.

Arratisja e Ramadanit nuk ka përplasur vetëm partitë politike maqedonse. Përplasje ka pasur edhe në bllokun politik shqiptar aty ku Fronti Europian dhe VLEN kanë akuzuar njëra tjetrën për arrestimin dhe ekstradimin eventual të Ramadanit në Serbi. Nga Fronti Europian akuzojnë VLEN-in se janë të pafuqishëm dhe se pikërisht ato u lavdëruan për lirimin e Ramadanit, i cili sipas Frontit nën Qeverisjen e VLEN për pak sa nuk u ekstradua në Serbi!

Lexo gjithashtu
Total
0
Share